Gjykata, urdhër mbrojtjeje për 14-vjeçaren Kajtazi

07/09/2015 16:00

Gjykata e Durrësit ka lëshuar urdhër mbrojtjeje për 14-vjeçaren Klevisa Kajtazi, duke urdhëruar masa që mbajnë larg vajzës prindërit dhe motrën e madhe.

Në përfundim të afatit 20-ditor të urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes, e mitura ka deklaruar se nuk do të kthehet në shtëpi, pasi ndihet e frikësuar nga pasojat që mund të vijnë nga ky veprim.

Në një seancë gjyqësore për vërtetimin e urdhërit, gjykata ka urdhëruar që babai i vajzës, nëna e saj dhe motra e madhe jo vetëm të mos kryejnë dhunë fizike apo psikologjike ndaj paditëses Klevisa, por as ta ngacmojnë, kërcënojnë, cënojnë, si dhe të mos e kontaktojnë atë.

Pas kapjes në Vlorë së bashku me motrën e saj, që është në gjendje arresti në burg, 14-vjeçarja është sistemuar nga Shërbimi Social Shtetëror në një qendër të përkujdesjes shoqërore.

Në seancën e së hënës, ku palët kanë qenë të pranishme, gjykata u ka kujtuar prindërve dhe motrës së madhe të së miturës se shkelja e këtij urdhëri përbën vepër penale, ndërsa ata mund ta ankimojnë këtë vendim që nga dita e nesërme e lëshimit të tij.

Urdhëri i mbrojtjes është lëshuar për një afat 6-mujor, ndërsa prokuroria vijon hetimet për rastin e motrave Kajtazi, që akuzohen për vjedhje në bashkëpunim dhe shkatërrim të pronës me zjarr, vepra penale këto që kanë dëmtuar familjen e tyre.

Top Channel