Shkup, Lëvizja BESA: Zgjidhja juridike e rastit “Telekom” te shkojë deri në fund

07/09/2015 16:25

Lëvizja BESA ka reaguar lidhur me raportimet e mediave dhe publikimin e raporteve të gjykatave amerikane, që kanë të bëjnë me mitmarrjen shokuese nga “Telekomi” prej 7,5 milionë eurove nga të cilat, sipas një dëshmitari, 5 milionë euro ka marrë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe bashkëpunëtori i tij i afërt, Musa Xhaferi.

“Meqenëse në këtë aferë janë përmendur edhe emra të lartë të funksionarëve të partisë shqiptare në pushtet, ne si Lëvizje jemi të interesuar që ky rast, si do që ta ketë epilogun juridik, të qartësohet deri në fund, që qytetarët shqiptarë ta marrin vesh të vërtetën e këtyre dëshmive”, thuhet ne komunikatën për shtyp të Lëvizjes BESA.

Kjo Lëvizje vlerëson se shoqëria shqiptare në Maqedoni nuk mund të ecë përpara drejt mirëqenies me politikanë të korruptuar, të zhvatur dhe të inkriminuar.

“Vlerësojmë se, përveç rastit skandaloz lidhur me “Telekomin”, duhet të zbardhen edhe të gjitha rastet tjera deri në fund. Këtë do mund ta bënte Prokurori Special, që shpresojmë të jetë një profesionist me duar të lira, që këtë katarzë kaq të nevojshme për shoqërinë, ta shtyjë deri në fund”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes BESA.

Top Channel