Italia ofron përvojën e saj në procesin e dekriminalizimit

07/09/2015 00:00

Përveç angazhimit për të nisur lëvizjet në Bruksel për çeljen e negociatave Shqipëri – BE,  Italia është angazhuar të ndihmojë Shqipërinë edhe në procesin e dekriminalizimit.

Si një vend që ka kaluar këtë përvojë vite më parë, shteti fqinj angazhohet të ndajë përvojën e tij me Shqipërinë, konfirmoi shefi i diplomacisë së këtij vendi në vizitën në Tiranë.

“Përsa i përket çështjes së dekriminalizimit jemi duke bashkëpunuar. Ministri i Drejtësisë italiane zhvilloi një vizitë në Tiranë dje dhe sot. Kjo përvojë ka qenë e dobishme për Italinë dhe besoj do të jetë e dobishme edhe për Shqipërinë. Ministri i Drejtësisë së Italisë ka zhvilluar takime me ministrin shqiptar të Drejtësisë dhe presidentin shqiptar, ku është diskutuar edhe kjo çështje. Sa i takon integrimit të Shqipërisë, ne kemi rënë dakort me zotin Bushatin të punojmë më fort në dy-tre muajt e ardhshëm. Italia ka interes të nxisë këtë proces. Duhet të përshpejtohet procesi i çeljes së negociatave. Europa nuk mund të fshihet. Duhet të japim përgjigje në mënyrë të shpejtë. Sigurova mikun tim Ditmir për të nxitur në javët e ardhshme edhe në nivel të Ministrave të Jashtëm të BE-së mbështetjen sa më të fuqishme të përshpejtimit të rrugëtimit të anëtaresimit dhe negociatave me Shqipërinë”, tha Gentiloni.

Dekriminalizimi, që ministri i Jashtëm shqiptar preferon ta quajë “pengimi i kandidimit ose mbajtja e posteve publike nga persona të papërshtatshëm”, do të jetë një shtysë për çeljen e negociatave.

“Është një sfidë me të cilën nuk përballet për herë të parë Shqipëria. Është një sfidë që e kanë kaluar edhe vende të tjera. Ekziston gjithë vullneti i qeverisë dhe institucioneve për të hulumtuar praktikat më efektive, më të mira dhe besojmë që reforma në drejtësisë, procesi i lustracionit politik për të gjithë elementët që u përmendën do të jetë një shtysë dhe një element që do na çojë përpara për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit”,  tha ministri Bushati.

Top Channel