Maqedoni, dëshmia e ish-agjentit “gozhdon” krerët e BDI-së

07/09/2015 16:55

Gjykata e Nju Jorkut, që po shqyrton rastin kundër drejtorëve të kompanisë “Magjar Telekom”, ka publikuar dëshminë e ish-shefit të Policisë sekrete të Maqedonisë, Slobodan Bogoevski, i cili akuzon ish-kryeministrin Vlado Buçkovski dhe drejtuesit e partisë shqiptare BDI, për marrjen e 7,5 milionë eurove ryshfet.

Dëshminë e tij, ish-shefi i i Policisë sekrete e ka dhënë para avokatit të Komisionit amerikan për Letrat me vlerë (SEC), lidhur me rastin “Magjar Telekom” dhe kompaninë e saj simotër “Telekomi i Maqedonisë”.

Bogoevski thotë se, ish-kryeministri maqedonas dhe partnerët e tij shqiptarë në qeverinë e viteve 2005-2006, konkretisht kreu i BDI-së Ali Ahmeti dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Musa Xhaferi, kishin marrë nga 2,5 milionë euro secili, prej biznesmenit kontrovers grek, Dimitris Kondominas, për t’i siguruar “Telekomit të Maqedonisë” monopol në tregun vendas.

Sipas ish-agjentit maqedonas, partnerët shqiptarë të Qeverisë së atëhershme të Shkupit kanë kushtëzuar nënshkrimin e protokollit për bashkëpunim midis dy palëve, me pagesën e këstit të parë të shumës së marrëveshjes për ryshfet, në vlerën e 2.5 milionë eurove.

Në dëshmi, më tej thuhet se, paratë u janë dhënë funksionarëve shqiptarë në dorë, në Tetovë, te shtëpia e ish-shefit të Financave nga BDI-ja, Abdilhalim Kasami.

Por, nga partia shqiptare BDI thonë se, dëshmia e Bogoevskit është e ndërtuar në ngjarje dhe rrethana joekzistente. Pohimet e ish-agjentit maqedonas, sipas BDI-së janë të pavërteta dhe aktualizohen si pjesë e fushatës me gënjeshtra kundër kësaj partie, që kanë për qëllim zgjedhjet e parakohshme të vitit të ardhshëm.

Top Channel