Është ende një divë, por fatkeqësisht pa “charter” dhe avionë privatë. Për turin e saj “Resurrection”, ajo e ka përshkuar Europën mbarë me avionë të linjave.

Anastacia, artistja e hiteve “I’m out of love”, “Sick and tired”, “Left ouside alone”, mbërriti për koncertin rutinë të turit të saj edhe në Tiranë, me një avion pasagjerësh. E thjeshtë dhe pa “glamour” futet në terminalin e Aeroportit “Nënë Tereza”, ku iu rezervua pritja në zonën VIP.

Jashtë e priste ta shoqëronte drejt hotelit një makinë e siguruar nga organizatorët e koncertit në Tiranë. Edhe pse spoti për eventin ishte hedhur në media prej javësh, asnjë adhurues nuk doli ta priste yllin e muzikës, që në vitin 2000 ishte artistja ndërkombëtare me suksesin më të madh, veçanërisht në Europë dhe Australi. Kohë kur kënga e saj “I’m out of love” bënte namin, duke qenë më e shitura e vitit.

Së paku një eskortë e Policisë së Shtetit pati mirësinë t’i printe divës drejt trafikut të nderë në orët e pasdites në kryeqytetin shqiptar.

Për Anastacian, mbrëmjen e parë në Tiranë nuk pati asnjë program të ndërtuar. Ajo qëndroi në dhomën e saj, ku erdhe darkoi. Diva, sigurisht që kishte nevojë të mblidhte veten, pas një udhëtimi të gjatë, për të qenë në formë për koncertin e radhës.

Në stadiumin “Qemal Stafa” kishin filluar përgatitjet për koncertin e Anastacias. Në mesditë mbërriti skena dhe pajisjet logjistike, që së bashku me këngëtaren kanë shëtitur përgjatë gjithë turit, pjesë e të cilit kanë qenë sigurisht edhe bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë. Allan Sullivan është menaxheri i turit “Resurrection”.

“Jemi në tur që prej 15 qershorit. Ky ishte fillimi. E nisëm me Britaninë e Madhe dhe do t’i biem Europës rrotull për gati 3 muaj. Kemi qenë në Europën Veriore, në Zvicër e pastaj në Gjermani, Itali, Francë, Belgjikë, Holandë, vendet skandinave, ndërsa tani jemi këtu, pra kemi një kohë të gjatë që udhëtojmë. Mbi 3 muaj”, tha menaxheri.

Për gati një dekadë pushim, për arsye shëndetësore, e tani artistja amerikane rikthehet në Europë, aty ku dikur ka korrur suksesin e saj më të madh, si këngëtare e muzikës pop. Sigurisht që miqtë dhe bashkëpunëtorët e saj të dikurshëm e kanë lënë, aty ku dhe karriera e saj bëri ndalesën e fundit. Ndaj, me repertor të vjetër dhe me staf të ri, Anastacia zgjodhi të ecë sërish përpara.

“E bëj këtë punë prej një kohe të gjatë. Me artistët duhet të kesh durim. Ata janë të gjithë njësoj. Duan që gjërat të jenë të organizuara mirë, ata duan të zbaviten, duan që puna e tyre t’u evidentohet. Të ardhurat, nga ana tjetër, duhet të jenë të mira. Pra, është një punë, jo thjesht qejf. Unë jam personi që kujdesem për të gjithë logjistikën, e gjithashtu kujdesem që turi të shkojë mirë financiarisht”, tha menaxheri.

Deri para Shqipërisë turi kishte ecur mirë, por pa pretenduar mungesën e pengesave përgjatë rrugës.

“E bëj këtë punë prej 20 vitesh. Është një kohë e gjatë. Sa më shumë punon në këtë profil, aq më shumë shikon probleme që përsëriten. Janë thuajse e njëjta gjë. Makinat, hoteli, udhëtimi… të njëjtat gjëra. Ndryshojnë vendet, njerëzit, por problemet janë të njëjtat”, tha menaxheri.

Por, si është Anastacia në jetën e saj reale? Me zakone dive, apo me ambicien e një artisteje, që kërkon të rimbledhë çfarë ka mbetur nga fama dhe shkëlqimi i dikurshëm?

“Ajo është e mrekullueshme. Mendoj se është një prej artisteve më normale, më natyrale, me të cilën mund të punosh. Një person shumë i thjeshtë, me të cilin mund të flasësh. Është shumë e qartë se çfarë i pëlqen dhe çfarë nuk i pëlqen, për mua kjo është perfekte. Sa herë që flet me Anastacian, ajo ose të bën të qeshësh, ose të mëson diçka të re. Unë kam filluar të punoj me të për këtë tur dhe shpresoj që të ketë filluar një marrëdhënie e gjatë, sepse ajo është një person i mrekullueshëm, me të cilin mund të punosh”, shprehet më tej menaxheri.

Tim Dean është truproja i saj, që gjithashtu i qëndron pas, natë e ditë, në këtë tur.

“Nuk e njoh personalisht, por kur punojmë bashkë, ajo është një person shumë argëtues. Të punosh me të është fantastike, është artiste shumë profesioniste. Është qejf të jesh me të. Dhe mbi të gjitha është shumë serioze në punën e saj”, thotë truproja.

Lorraine dhe Hazel janë dy shoqërueset e vokalit të saj në çdo koncert, të cilat e vlerësojnë shumë faktin që po punojnë për Anastacian në këtë tur.

“Unë kisha një mik, i cili njihte Anastacian. E dinte që kishte nevojë për shoqëruese vokali. Bëra audicionin dhe kështu fitova punën”, thotë Lorraine.

“Për mua ishte diçka, të cilën dëshiroja shumë ta beja në të shkuarën. Kur kthehem pas në vitin 2001, kujtoj që një shok i imi i dha menaxherit të saj numrin tim. I thashë, nëse ka ndonjë mundësi, e adhuroja të këndoja me të. Ka kaluar shumë kohë prej atëherë, por ja ku u bë realitet. Sepse ajo është një këngëtare që e adhuroj dhe e pëlqej shumë. Është me të vërtetë kënaqësi, që po e bëj këtë”, deklaron Hazel.

Mesa duket, pozitat e karrierës, mbase edhe natyra e saj e vërtetë nuk i kanë veshur zakonet e ashpra të një dive. Përkundrazi, bashkëpunëtorët e saj tregojnë se, një nga gjërat më të bukura në këtë eksperiencë pune është të qenurit pranë saj.

“Është e mrekullueshme. Çdo herë në skenë është si një koncert i ri, sepse ajo gjithmonë bën diçka të re me publikun. Është zbavitëse, bën shaka dhe ndihesh sikur po bën një festë në skenë. Më pëlqen të punoj edhe me të gjithashtu (bën me gisht nga shoqëruesja tjetër e vokalit). Gjithmonë bashkë sajojmë një kërcim. Është shumë qejf”, thotë Lorraine.

Anastacia ka hedhur pas shpine një betejë shumë të vështirë me jetën. Në vitin 2013 ajo u diagnostikua me kancer në gji, për të cilën iu desh që t’i nënshtrohej një mastektomie të dyfishtë. Gjithë atë risk, ajo tashmë e ka kthyer në një filozofi jete, të shijojë çdo minutë të sajën.

“Po kënaqemi shumë të gjithë. Ka kaq shumë personalitete të ndryshme dhe të lezetshme në këtë tur, saqë ne kalojmë gjithë kohën duke qeshur. Jemi si një autobus me nxënës shkolle në ekskursion. Kënaqemi kaq shumë dhe pastaj ngjitemi në skenë. Ajo bën shaka dhe ne qeshim edhe në skenë. Të jem e sinqertë, është një punë shumë e mirë. Përveç pjesës që të mungon familja”, tha Hazel.

Madje, edhe kur ka ndodhur të ketë të papritura gjatë organizimeve të koncerteve, Anastacia ka ditur t’i kthejë ato momente në favorin e saj.

“Një herë, në një shfaqje ra një prej shufrave të skenës. Nuk lëndoi askënd, por ra poshtë. Kështu që Anastacia filloi të ndërvepronte me audiencën për rreth 15 minuta dhe gjithçka kaloi shumë mirë. Ishte fantastike, sepse filloi duke bërë shaka dhe batuta me publikun. Por nuk kemi pasur ndonjë problem më të madh se kaq në skenë”, tha Lorraine.

“Oh, edhe atë herën tjetër, që frynte shumë erë. E mban mend?”, pyeti Hazel.

“Oh, po”, iu përgjigj Lorraine.

U duk se në Shqipëri, bashkëpunëtorët e saj më të afërt e gjetën veten mirë.

“Ishte ablolutisht shumë mirë. Nuk mund të ankohem për asgjë, por nuk kemi pasur internet, e vetmja gjë që mund të ankohem. Është e vetmja gjë, me të cilën mund të lidhemi me familjet, ndaj na nevojitet”, tha Hazel.

“Për mua është hera e parë që jam këtu. Kështu, si një njeri që ka kohë që e bën këtë punë, të jem në një vend të ri është shumë emocionuese. Dielli është shumë i mirë, njerëzit shumë miqësorë, të gjithë duan që koncerti të shkojë mirë. Kur erdhëm, ne kaluam nga terminali VIP, çfarë ishte shumë qejf”, tha menaxheri.

“Duket sikur gjithçka do të shkojë për mrekulli këtu. Mezi po pres të shoh sesi do të duket, kur të githë të jenë këtu”, tha Hazel.

Ishte e vështirë që, në atë publik prej 2 mijë personash, të ndesheshin shumë të rinj. Kuptohet, për shkak të mungesës së koherencës së suksesit të saj me të tanishmen. Megjithatë, fansat nuk i munguan.

E ka quajtur “Rilindje” këtë tur të sajin dhe tashmë dihet përse. Veçse përtej barrierave për të mbërritur deri te “ringjallja”, energjia e saj nuk ka mundur të mposhtet.

Top Channel