Tensione Rusi- SHBA, shkak janë bërë raportet për mbështetje të Al Asadit

08/09/2015 11:50

Në marrëdhëniet amerikano-ruse ka sërish shenja nervozizmi e shkak i tensioneve të fundit duket janë bërë raportet mbi një mbështetje të mundshme të regjimit të Bashar al Asadit nga Moska.

Uashingtoni druhet se një përfshirje e Rusisë në konfliktin sirian mund ta acarojë edhe më tej gjendjen, e këtë sekretari amerikan i shtetit ia bëri të qartë homologut Sergei Lavrov në një bisedë të gjatë telefonike mes tyre.

Kryediplomati amerikan u përpoq t’i shpjegonte ministrit të Jashtëm rus se nga një rritje e angazhimit ushtarak rus mund të rritet jo vetëm numri i viktimave dhe i të vdekurve në Luftën Civile por do të vazhdojë të rritet edhe numri i refugjatëve. Përveç kësaj, një ndërhyrje e Rusisë do të kërcënonte përplasje me koalicionin ushtarak të udhëhequr nga SHBA kundër militantëve të Shtetit Islamik. Lavrovi duket të ketë reaguar ftohtë. Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme në Moskë, Maria Zakharova, ai është shprehur shkurt se do të ishte “e nxituar” të flitej për pjesëmarrje të Rusisë në operacionet ushtarake në Siri.

Nga ana tjetër, kujtoi sidoqoftë se rusët nuk e kanë fshehur kurrë faktin që i kanë furnizuar autoritetet siriane me pajisje ushtarake për të mbështetur kësisoj përpjekjet e tyre kundër terrorizmit. Në fund, të dyja palët duket kanë pranuar ta vazhdojnë dialogun në fund të muajit në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Ditë më parë, “New York Times” publikoi një artikull ku pohohej se Rusia ka dërguar një ekip ushtarak në Siri. Përveç kësaj, përmendej edhe fakti që në një aeroport pranë Latakias janë dorëzuar streha parafabrikate për qindra vetë dhe një stacion lëvizës për kontrollin e trafikut ajror. Gazeta bazohej për këto pohime të saj në informacionet e analistëve të zbulimit amerikan. Raporte se Rusia është e gatshme të dërgojë avionë në Siri që të përdoren kundër Isis-it ka pasur edhe në mediat izraelite, ndërsa në rrjetet sociale janë shfaqur fotografi me avionë rusë dhe dronë në atë vend.

Top Channel