Demarkacioni me Malin e Zi, shpërthen Haradinaj; dorëhiqet nga Komisioni i Jashtëm

08/09/2015 15:45

Udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shpërthyer sërish në akuza të rënda e deri në fjalë banale, gjatë mbledhjes së Komisionit parlamentar për Punët e Jashtme.

Ndërkohë që kryetari i këtij komisioni, deputeti i PDK-së Enver Hoxhaj po fliste për raportin e hartuar nga Murat Meha, kryetar i Komisionit shtetëror për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi, Haradinaj ka reaguar duke mos e lënë Hoxhajn të shpërndante materialin e Mehës.

“Nuk do të lejoj të zhvillohet takimi i këtij komisioni me raportin e atij njeriu. Nuk mund ta bësh. Do ta pengoj edhe fizikisht, e deri sa të vijë policia nuk dal prej kësaj salle. Edhe ju duhet ta keni një kufi, se deri ku mund të shkoni me të tilla gjëra. Nuk është temë humoristike, as opozitare, është çështje e territorit të këtij vendi. Kjo marrëveshje dhe marrëveshja e Brukselit për kufirin nuk qëndron. Hashim Thaçi ka gabuar që e ka nënshkruar. Isa Mustafa është gabim. Edhe ju jeni gabim, që dilni në krah të një shkeljeje këtu. Mos, se jeni duke e dërguar vendin drejt një situate, ku nuk e di a do ketë dikush guxim të jetojë më këtu. Raportin e Murat p*****t nuk mund ta sillni prapë këtu. Më falni, por nuk mund të ndodhë. Nuk është ky vend siç po kujtojnë disa njerëz, kujt t’i ç***t të parit, të vijë e të tallet me ne”, tha Ramush Haradinaj, deputet i AAK.

“Po më lejo ta kryej punën, sepse, me gjithë respektin që je kryetar partie dhe je deputet, partia jote parlamentare – dhe këtu i ftoj mediat për vëmendje, – ka miratuar një rezolutë në Kuvendin e Kosovës. Pika 6 e kësaj rezolute thotë se, komisioni shtetëror duhet të ftohet prej Komisionit për Politikat e Jashtme. Ka qenë kërkesa juaj zoti Haradinaj. Vetëm nëse e keni harruar”, iu kundërpërgjigj Enver Hoxhaj, deputet i PDK.

“Jo, unë nuk kam harruar asgjë, por kjo është një mënyrë për të luajtur ju fshehtazi, sepse i keni dy të tretat kriminale në këtë Kuvend. Jeni duke bërë krime ndaj këtij vendi. Mënyra e dominimit, siç është duke shkuar në këtë Parlament, do ta çojë vendin tjetërkund. Mënyra sesi e kanë bërë është gabim, mënyra sesi është duke u punuar është sërish gabim. Do të na çojë tjetërkund. Do ta shihni se ku do të përfundojmë si vend. Nuk është punë votash, nuk është punë pushteti. I lëmë partitë të gjithë, por ajo është tokë e Kosovës, është territor i këtij vendi. Mua, po më vjen keq, por nuk mund të duroj e të qëndroj në të tilla takime. Vazhdoni ju, gënjeni sa të doni, gënjejeni Kosovën”, tha më tej Ramush Haradinaj, deputet i AAK.

Pak minuta pasi Haradinaj u largua nga mbledhja e komisionit parlamentar, partia e tij njoftoi përmes një komunikate për media se, Haradinaj ka dhënë dorëheqjen nga Komisioni për Punët e Jashtme, pasi – sipas tij, – ky Komision është shndërruar në një instrument politik të kryeministrit, Isa Mustafa, dhe zëvendëskryeministrit, Hashim Thaçi, si dhe e ka humbur kuptimin dhe rolin që duhet të ketë.

Ndërkohë, në llogarinë e tij në Facebook, ai ka shkruar se ka qenë i detyruar të dalë nga vetja dhe të bëjë cilësime të tilla për Murat Mehën.

Në mbledhjen e parë për sesionin e vjeshtës, Komisioni për Punët e Jashtme kërkoi një raport më korrekt nga Bashkimi Europian në lidhje me Kosovën, sidomos sa i takon liberalizimit të vizave, ndërsa kryetari Enver Hoxhaj kërkoi nga Qeveria, që të shqyrtojë mundësinë e strehimit të refugjatëve sirianë.

Top Channel