Bulqizë, bllokohen tre kamionë me dru kontrabandë

08/09/2015 13:20

Tre kamionë me lëndë drusore kontrabandë janë bllokuar mbrëmjen e së hënës në Bulqizë, bëjnë të ditur burime policore lokale.

Dy nga automjetet vinin nga mali i Tërnovës, ndërsa tjetri nga ato të Martaneshit, saktësojnë burimet, sipas të cilave lënda drusore ishte rreth 30 metër kub.

Automjetet janë shoqëruar nga uniformat blu në komisariatin lokal të policisë, drejtuesit e të cilit kanë hapur procedim penal ndaj tre shoferëve, për “prerje të paligjshme të pyjeve” dhe “shkatërrim të pronës”.

Gjatë muajit gusht, kryesisht në malin e Tërnovës janë verifikuar dëme të mëdha në sipërfaqet pyjore, ku përveç prerjeve të pemëve ka pasur edhe zjarre të shumta.

Autoritetet lokale njoftojnë se në tërësi janë djegur rreth 100 hektarë pyje ahu e pishe e që kanë arritur deri në zonën e mbrojtur të Liqenit të Zi.

Top Channel