Rishikimi i buxhetit, debat Qeveri-opozitë për të ardhurat

08/09/2015 13:45

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani u tha deputetëve në Komisionin e Ekonomisë se, mosrealizimi i të ardhurave nuk ka ardhur nga evazioni, por është rezultat i zhvillimeve pozitive në ekonominë e brendshme.

Sipas tij, të ardhurat kanë rënë për shkak të rritjes së prodhimit të brendshëm në sektorin bujqësor dhe atë energjetik, si dhe nga rënia e interesave në tregun bankar.

“2,3 miliardë lekë nga këto 15,5 mld lekë mungojnë për shkak të uljes së çmimit të naftës dhe atij të mineraleve në tregjet ndërkombëtare. 1,3 mld lekë mungojnë për shkak të uljes së importit të energjisë elektrike; 1,2 mld lekë mungojnë për shkak të uljes së normës së interesit. Në qoftë se do t’i mblidhnim të gjitha argumentet që parashtrova, të ardhurat e munguara janë 15,5 mld lekë dhe të argumentuara jashtë mundësive e kapacitetit të menaxhimit të Qeverisë janë mbi 15,5 mld lekë”, u shpreh ministri Cani.

Por Ridvan Bode e cilësoi argumentin e ministrit të Financave si qesharak dhe jo serioz. Sipas tij, shkurtimi i buxhetit ka vetëm një shkak: dështimin e politikave të qeverisë.

“Qeveria nuk e sheh të vërtetën në sy, nuk sulmon thelbin e çështjes së problemit, që është platforma e rritjes progresive të taksave, akti normativ i së cilës dëshmon funeralin e asaj që u pohua si zgjidhje e madhe për ekonominë e vendit, por reket të gjejë justifikime shpesh herë qesharake, siç dëgjuam edhe sot këtu”, tha ish-ministri i Financave, Bode.

Kjo deklaratë shkaktoi debate të forta, teksa socialistët i kujtuan ish-kryefinancierit të djathtë se, gjatë kohës që ishte në pushtet, e ka shkurtuar planin e të ardhurave me 1.5 miliardë dollarë.

“Në vitin 2009, minus 35,8 miliardë lekë. Në vitin 2010, minus 36,3 mld lekë të munguara në të ardhura. Në vitin 2011, minus 31,7 mld lekë në të ardhura. Për të vazhduar në vitin 2012 me minus 25,4 mld lekë dhe përgjatë 9 muajve të vitit 2013 kemi përsëri minus 23,4 mld lekë në të ardhura. Që do të thotë se, në total vetëm për këto vite mungojnë në të ardhurat e buxhetit të shtetit plot 152,6 mld lekë”, përmendi kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe.

“Këtij i djeg dështimi dhe mundohet të mbijetojë përmes akuzave false. Jep llogari për rënien, me 50% taksa më të larta dhe nivelin më të ulët të të ardhurave të realizuar ndonjëherë. Po të kërkoj llogari përse të mungojnë paratë kur ke ngritur taksat”, pyeti deputeti demokrat, Ridvan Bode.

Në fund, akti normativ i buxhetit, i cili shkurton me 22.4 miliardë lekë planin e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, u miratua vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa opozita votoi kundër.

Top Channel