Konferenca për Paqen, Klosi: Shqipëria, shembull bashkëjetese

08/09/2015 14:00

Për tre ditë me radhë, kryeqyteti shqiptar ishte dëshmi e harmonisë fetare dhe lutjeve që u bënë me rastin e takimit të 29-të ndërkombëtar për paqen.

Në mbyllje të këtij eventi historik për Shqipërinë, me pjesëmarrjen e  4000 udhëheqësve fetarë nga e gjithë bota, ministri i Mirëqënies Sociale Blendi Klosi ndau këtë mesazh:

“Jam shumë i nderuar që ju jeni sot në Shqipëri dhe në një moment të caktuar ambasador të politikave rinore që ne do të zhvillojmë me komunitetin europian, jeni sot dëshmitarë të gjallë të tolerancës fetare shqiptare”.

Ministri ftoi besimtarët nga mbarë bota të vizitojnë sërish Shqipërinë. “Pa dyshim bëni një tur në këto vende dhe ka dhe disa kulte të tjera që mund t’i vizitoni, objekte kulti në vendin tonë, pasi do të kuptoni vetëm në një vizitë fare të shkurtër në këto katër objekte, se sa e mundshme është toleranca fetare kur njerëzit jetojnë së bashku. Për më tepër se sa fetë, për njerëzit ka rëndësi jeta e mirë “, tha Klosi.

Në lutjen e paqes, ishin të ftuar edhe personalitete botërore të politikës, artit dhe kulturës. Eventi që organizohej për herë të parë në Shqipëri kulmoi me marshimin e besimtarëve dhe vinte gati një vit pas vizitës historike të Papa Franceskut.

Top Channel