“Marshimi i Paqes” në Tiranë, kritika ndaj vendeve indiferente

08/09/2015 14:35

Aylan Kurdi, djaloshi tre vjeçar i cili u gjet i vdekur në bregdetin turk, ka bërë që udhëheqësit e Europës të drejtojnë syte e zemrës nga ky eksod i dhimbshëm.

“Na u deshën 70 të vdekur në një kamion, vdekja e një fëmije tre vjeçar në Bodrum në plazh që të na shkundej vetëdija. Më 17 shtator do të priten 120 mijë emigrantë. Italia dhe Greqia do të hapë dyert për 32 mijë persona. Por kjo nuk është mjaftueshëm. Duhet të ndryshojë mendimi i disa vendeve si Spanja, Austria, Polonia të cilat nuk kanë dhënë disponibilitet”, tha Marlo Morcone, shef i departamentit për liritë civile dhe integrimin, Itali.

Luftërat, papunësia, varfëria që kanë pushtuar shumë vende të Lindjes së Mesme, nga ku qindra mijëra fëmijë e të rritur largohen çdo ditë, duke u përballur edhe me vdekjen, ka bërë që Europa të reflektojë, jo vetëm për t’u përballur me kërkesat për azil por edhe me krizën e madhe me të cilën po përballet Europa.

“Europa duhet të ndryshojë strategji . Kemi një pabarazi të madhe mes vendeve dhe mes vetë njerëzve. Politika që bën Europa është kontradiktore. Nga njëra anë lufton masat proteksioniste të jugut për të lehtësuar futjen e produkteve të veta në tregjet e jugut dhe nga ana tjetër kërkon të kufizojë të drejtën e qarkullimit. Bota është në një varkë të madhe. Të gjithë që janë mbi varkë, o do shpëtojnë o do vdesin të gjithë “, thotë Slahedine Jourchi

Shqipëria është një shembull pozitiv emigracioni, edhe pse pas viteve ’91 qindra mijëra shqiptar u larguan drejt Italise e Greqisë, sot këta njerëz janë mbështetës të ekonomisë jo vetëm në vendet ku jetojnë, por edhe për Shqipërinë.

Top Channel