Shërbimi i hemodinamikës dhe tek ish-Senatoriumi, shkurtohet koha e pritjes

08/09/2015 15:10

Shkurtohet kohëpritja për një pacient i cili duhet të bëjë koronarografi, apo ekzaminime të tjera të enëve të gjakut dhe që zgjedh t’i bëjë ato në shërbimin spitalor publik . Përveç Qendrës Spitalore Universitare, shërbimi i hemodinamikës ofrohet tanimë në ish Sanatoriumin e Tiranës me aparatura bashkëkohore.

“Hapja e shërbimit të hemodinamikës është në vazhdën e transformimit që po bën spitali universitar “Shefqet Ndroqi” për ofrimin e shërbimeve më të zgjeruara përsa i përket kthimit të këtij spitali në një spital të sëmundjeve të brendshme”, thotë Perlat Kapisyzi, drejtor i Spitalit “Shefqet Ndroqi”.

Nëse deri para një viti një pacient duhej të priste deri në 6 muaj për të bërë një koronarografi , tani me shtimin e aparturave edhe në Spitalin “Shefqet Ndroqi” synohet që kohë pritje të reduktohet deri në 2 javë.

“Më parë diversifikohej sektori publik në disa mundësi. Kjo është në vazhdën e konsolidimit të mëtjeshëm të ndërhyrjeve koronare në vendin tonë, që kanë arritur nëpërmjet dy sektorëve, private dhe publikë të zgjidhin këtë problem për shqiptarët”, tha Prof dr. Artan Goda, shef i shërbimit të kardiologjisë në QSUT.

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj deklaroi se së shpejti ky shërbim do të ofrohet edhe në spitalin e Shkodrës.
 
“Unë besoj se praktikisht ajo çka mund të arrijmë vitin e ardhshëm, ne do të mund të ofrojmë këtu 20 për qind të nevojave, që do të plotësojmë vitin e ardhshëm me këtë shërbim, duke marrë parasysh QSUT, këtë shërbim, financimin në mënyrë private dhe pa dyshim kabinetin që do të hapim në spitalin rajonal të Shkodrës”, tha Ilir Beqaj, ministër i Shëndetësisë.

Me shtimin e këtij shërbimi tha Beqaj spitali “Shefqet Ndroqi” plotëson profilin e tij si spital universitar.

Top Channel