PD: Meta të japë dorëheqjen, prokuroria të nisë hetimin

08/09/2015 15:25

Partia Demokratike ka bërë me dije se sot “fakte të reja janë publikuar për korrupsionin dhe skemën e mashtrimit me miliona euro në CEZ”.

Nëpërmjet deputetit Luciano Boçi, PD-ja tha se “agjencia BIRN ka bërë publike dëshminë e plotë të ish-drejtorit të CEZ-it, Hajsek, i cili u ka deklaruar avokatëve të qeverisë shqiptare se DIA, firma e Kastriot Ismailajt, iu imponua kompanisë çeke nga Ilir Meta”.

“Drejtori çek ka dëshmuar për lidhjen e fortë të Ismailajt me kryetarin e parlamentit. Rryshfeti me miliona euro për të cilin akuzohet Ilir Meta shihet nga avokatët e qeverisë shqiptare si provë kyçe në procesin e arbitrazhit që po mbahet në Vjenë. Ata e konsiderojnë këtë rast si një nga skemat më të mëdha të mashtrimit dhe korrupsionit të vendit tonë. Pikërisht për këto afera skandaloze, qeveria e kryeministrit Berisha i dërgoi për ndjekje penale Kastriot Ismailajn dhe CEZ-in. Nga ana tjetër Edi Rama dhe Ilir Meta me ardhjen e tyre në pushtet jo vetëm i falën apo ndanë me CEZ-in 600 milionë euro borxhe të njohura nga CEZ-i, por ata me një akt mafioz e të kundraligjshëm nënshkruan për të ndërprerë hetimet dhe ndjekjen penale për aferën e korrupsionit të CEZ me Kastriot Ismailaj”, tha Boçi.

Deputeti demokrat shtoi: “Ndërsa Petrit Ahmeti, i identifikuar nga Hajsek si negociatori për kontratën e Kastriot Ismailajt ka rilindur dhe sot është kreu i ERE-s, me propozim të Ilir Metës. Sipas dëshmisë së publikuar sot, Ilir Meta rezulton drejtpërdrejt i përfshirë në këtë skemë korrupsioni me miliona euro, si lobues që kompania DIA e mikut të tij Ismailaj, të përfitonte shumat e mëdha nga kompania CEZ. Dëshmia e ish-drejtorit çek Hajsek është dokument zyrtar i avokatëve të qeverisë Rama në gjyqin e arbitrazhit, dhe ata kanë paraqitur gjithashtu një raport ku shkruhet se paratë që përfitoi me mashtrim Kastriot Ismailaj u përdorën për rryshfete ku përfitoi ish-kryeministri Ilir Meta. Këto janë faktet e dala në publik. Ilir Meta është nën akuzë për marrje rryshfeti. Ai duhet të japë dorëheqjen e të shkojë para drejtësisë.

Partia Demokratike i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë pa vonesë hetimin, për atë që vetë avokatët e qeverisë Rama e cilësojnë si skema më e madhe e mashtrimit dhe e korrupsionit në Shqipëri”.

Top Channel