Rreth 450 nxënës shqiptarë të shkollës së mesme kimike “Marija Kiri Skllodovska” në Shkup ende nuk janë ulur në bankat e tyre, ndonëse viti i ri shkollor ka nisur më 1 shtator.

Nxënësit, thonë se me urdhër të drejtorit të kësaj shkolle, Lupço Celevski, ata nuk po lejohen të hyjnë në klasa. Siç, rrëfejnë të rinjtë shqiptarë, udhëheqësit e shkollës ka urdhëruar dislokimin e tyre në një objekt tjetër, për të cilin thonë se nuk i plotëson kushtet për zhvillimin e procesit mësimor.

“Dëshirojnë të na dërgojnë në shkollën “8 Shtatori” ku nuk ka as klasa për nxënësit, gjithsej janë 8 klasa, sa kemi dëgjuar nuk as tualete e mos të flasim për salla sportive e për laborator që na duhen për drejtimet tona”, shprehet një nxënës.

“Një ndër problemet që na shqetëson është ligjërimi i profesorëve në gjuhën maqedonase, të gjitha lëndët e praktikës i ligjërojnë profesorët maqedonas”, thotë një nxënës.

Nxënësit shqiptarë dyshojnë se qëllimi i drejtorisë është që me largimin e tyre, në këtë shkollë procesi mësimor të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase. Probleme me udhëheqësit e shkollës kanë edhe mësimdhënësit shqiptarë. Ata, thonë se drejtoria nuk ua ka vazhduar kontratat e punës 21 profesorëve shqiptarë nga gjithsej 24 sa kanë qenë të angazhuar vitin e  kaluar.

“Problem tjetër është edhe moslajmërimi i profesorëve. Të gjithë profesorët që plotësojnë kushtet për të dhënë mësim këtu, i gjithë kuadri nuk janë të punësuar, nuk kanë vendim të përhershëm  pune”, shprehet një tjetër nxënës.

Por, edhe krahas gjithë këtyre ankesave, drejtori maqedonas, i cili nuk është prononcuar para kamerave, përmes telefonit shkurt ka thënë se dyert e shkollës nuk janë të mbyllura për shqiptarët. Ndërkohë, zyrtarët e BDI-së që drejtojnë ministrinë e arsimit në Maqedoni, përveç premtimeve të shumta për zgjidhjen e problemeve, deri tani janë treguar të pafuqishëm për ta përmirësuar situatën në arsimin shqip.

“Në rastin konkret kush do dhe çfarë të do mund të fletë, por largimin e atyre nxënësve nga ajo shkollë dhe largimin e punëtorëve nga vendi i tyre i punës, nga shkolla e mesme “Marija Kiri Skllodovska”, ajo punë nuk mund të bëhet pa pasur pëlqimin dhe pajtimin e të gjitha palëve”, thotë Safet Neziri, përgjegjës për shkollat e mesme në Ministrinë e Arsimit në Maqedoni.

Në shkollën e Mesme Kimike “Marija Kiri Skllodovska” në Shkup mësojnë rreth 980 nxënës, 450 prej të cilëve janë shqiptarë.

Top Channel