Dita Ndërkombëtare e Shkrimit dhe Leximit në Kosovë

08/09/2015 15:40

Në Ditën Ndërkombëtare të Shkrimit dhe Leximit, USAID në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Teknologjisë së Kosovës kanë organizuar aktivitete edukative për fëmijët e klasave të para dhe të dyta, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Kjo në kuadër të Programit për Edukim Bazik, që për qëllim ka ngritjen e vetëdijes te fëmijët për rëndësinë e të shkruarit dhe të lexuarit.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, me këtë rast tha se reforma arsimore si prioritet i kësaj ministrie fillon në këtë mënyrë, me rritjen e kulturës së shkrimit dhe leximit.

“Ministria e Arsimit ka shpallur këtë vit shkollor si vit të ngritjes së cilësisë. Ne jemi të vendosur që të ngrejmë cilësinë e mësimdhënies nëpër shkolla dhe pikërisht projekti që sot prezantuam tregon një qasje të re në shkollë, i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë kulturës së shkrimit dhe leximit. Pra, kemi nevojë që te nxënësit tonë të rrisim kulturën e shkrimit dhe leximit, të punojmë në mënyrë interaktive që nxënësit tonë të punojnë në mënyrë praktike, që shkolla të jetë një lloj komuniteti, një lloj familjeje”, u shpreh Bajrami.

Përveç ministrit Bajrami, fëmijët u vizituan edhe nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delaëie, dhe drejtori i USAID-it në Kosovë, James Hope.

Aktivitetet ishin të ndara në këndin e leximit, këndin e shkrimit dhe libërbërjes, këndin e kopertinës së librit, këndin e diskutimit dhe këndin e librit të preferuar.

Në tabelën e librave të preferuar, të parët që shkruan nga një titull ishin ambasadori Delawie, i cili rekomandoi për fëmijët Tom Sawyer-in nga Mark Twain dhe ministri Bajrami që rekomandoi Edukatën Qytetare.

Ky projekt do të fillojë të zbatohet në të gjitha shkollat e Kosovës, në mënyrë që të shmanget monotonia gjatë procesit mësimor dhe nxënësve t’u zhvillohen shkathtësi në shkrim e lexim.

Top Channel