Kosovë, qeveria shqyrton ankesat e kompanive të huaja të biznesit

08/09/2015 16:55

Rënia e investimeve të huaja, mungesa e energjisë elektrike dhe moszgjidhja në kohë e pretendimeve të bizneseve ishin temat kryesore, për të cilat u mblodh këtë të martë Këshilli Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha para anëtarëve të këshillit se, po punojnë në disa sektorë strategjikë sa i përket përmirësimit të legjislacionit dhe përmirësimit të politikave, të cilat mundësojnë tërheqjen e investimeve.

“Është duke u punuar intensivisht në planin kombëtar për zhvillim, ku Qeveria, me ndihmën e të gjithë aktorëve të përfshirë, do të qartësojë rrugën, strategjinë dhe masat për zhvillim më të shpejtë ekonomik. Ne jemi duke punuar në disa sektorë strategjikë, sa i përket përmirësimit të legjislacionit dhe përmirësimit të politikave, të cilat mundësojnë tërheqjen e investimeve për punësim dhe rritje të qëndrueshme ekonomike”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Sa i takon ankesave të bizneseve, për zgjatjen e kohës së lëndëve të pazgjidhura në institucionet e drejtësisë, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi tha se po punojnë në avancimin e legjislacionit, që do të garantojë më shumë mbrojtje për investitorët.

“Ankesat e kompanive të huaja, ne i marrim me shumë rëndësi. Unë pres një rol aktiv dhe një bashkëpunim të plotë edhe me Agjencinë për Promovimin e Investimeve të Huaja, në grumbullimin dhe analizimin e ankesave të pranuara nga investitorët dhe biznesi. Me qëllim të rritjes së investimeve, Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar edhe në implementimin e masave të sundimit të rendit dhe ligjit”, tha Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Zhvillimin Ekonomik, Muhamet Mustafa tha se, organet gjyqësore duhet të rrisin efikasitetin, për shkurtimin e kohëzgjatjes së pretendimeve të biznesit.

“Mendoj se është mirë, që në një mbledhje të këtij këshilli të ftohet sa më shpejt edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, e së bashku të diskutojmë për kohëzgjatjen e ankesave të biznesit. Kjo është një çështje shumë problematike, sepse këto ankesa në gjykatat tona zgjasin me vite dhe ne duhet të bëjmë gjithçka, që kohëzgjatjen e tyre ta shndërrojmë në më pak se 6 muaj”, tha Muhamet Mustafa, deputet.

Deputeti Mustafa theksoi se, me këto procedura të zgjatura, asnjë investitor serioz nuk do të mund të konsiderojë një biznes të përshtatshëm në mbrojtjen efektive të kontratave.

Top Channel