Të pagjeturit në Kosovë, BE kërkon më shumë bashkëpunim Prishtinë-Beograd

08/09/2015 17:10

Përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zhbogar kërkon nga Prishtina dhe Beogradi të punojnë më ngushtësisht me njëri-tjetrin, për zbulimin e fatit të të pagjeturve në Kosovë nga të dyja palët.

Duke pranuar se nuk është bërë mjaftueshëm në këtë çështje, Zhbogar premtoi mbështetje financiare të mëtejshme të Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë. Këto komente, ai i bëri në një konferencë me temë “Personat e zhdukur – rruga përpara”, në të cilën, përveç autoriteteve më të larta shtetërore të Kosovës, ishte e pranishme edhe ish-Presidentja e Finlandës, Tarja Halonen.

“Më lejoni të theksoj se, çelësi për të lëvizur përpara në këtë çështje është sigurimi i informacioneve të reja. Kështu që duam të shohim bashkëpunim më të madh nga të dy qeveritë, në Prishtinë dhe në Beograd, për sa i përket kësaj çështjeje dhe nevojës për të parë përpjekje serioze nga të dyja palët, për sigurimin e informacioneve të reja për fatin e të pagjeturve. E ndërsa procesi i vendndodhjes dhe identifikimit mbetet teknik dhe humanitar, i takon vullnetit politik të shënojë progres të vërtetë për familjet e të pagjeturve, nga të dyja palët”, tha Samuel Zhbogar, përfaqësues i BE-së në Kosovë.

Pala kosovare akuzoi sërish Serbinë, se i ka bërë rezistencë bashkëpunimit për zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke bërë të pamundur zbulimin e fatit të të pagjeturve. Presidentja Atifete Jahjaga tha se, pajtimi ka kuptim, vetëm atëherë kur mbyllen plagët e rënda të luftës. Ndërsa për ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, burimi kryesor i informacioneve për të pagjeturit është Serbia.

“Janë bërë përpjekje të pareshtura institucionale, që të mësojmë fatin e qytetarëve të pagjetur, por përparimi ka qenë i ngadalshëm.Të gjitha këto përpjekje, ku kanë qenë të përfshira institucionet e vendit tonë, familjarët e të pagjeturve dhe faktori ndërkombëtar kanë hasur fatkeqësisht në mosgatishmëri të institucioneve të Republikës së Serbisë, për bashkëpunim të nevojshëm dhe të domosdoshëm”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

“Më lejoni të them se, informacionet më të mëdha gjenden në Serbi. Por, Serbia e ka ngadalësuar këtë proces”, tha Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë. Lista e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë numëron edhe rreth 1600 persona.

Familjarët e tyre, përmes shoqatave dhe Komisionit qeveritar për të Pagjeturit, kërkojnë vazhdimisht që kjo çështje të hapet në dialogun Prishtinë-Beograd. Por, me gjithë premtimet e qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit, Isa Mustafa, se kjo do të ndodhë, deri në këtë fazë të bisedimeve nuk është bërë ndonjë lëvizje konkrete.

Top Channel