Surprizë në US Open, eliminohet Andy Murray

08/09/2015 00:00

Kevin Anderson shkakton surprizën e radhës në turneun US Open. Tenisti afrikanojugor eliminoi në raundin e katërt britanikun Andy Murray me rezultatin 3-1, duke kaluar për herë të parë në çerekfinalen e këtij turneu. Anderson ishte në ditën e tij më të mirë dhe arriti të fitojë dy setet e parë me rezultatin 7-6 dhe 6-3.

Murray fitoi setin e tretë 7-6 me shpresën se do të bënte të njëjtën përmbysje si me francezin Mannarino, por këtë radhë gjërat nuk funksionuan për numrin 3 të botës që e pa të humbiste setin e katërt 7-6 dhe krejt ndeshjen 3-1.

Roger Federer kaloi rrezikun John Isner për të siguruar një vend në çerekfinalet e US Open. Tenisti zviceran jo pa vështirësi arriti të fitojë këtë ndeshje: 7-6, 7-6 dhe 7-5 në 2 orë e 39 minuta lojë.

U kualifikua mes 8 më të mirëve edhe bashkëkombasi i Federer, Stanislav Wawrinka. Fituesi i turneut Roland Garros eliminoi në raundin e katërt Donald Young, të cilin e mposhti 3-1me sete (6-4, 1-6, 6-3 dhe 6-4).

Në kampin e femrave, Simona Halep arriti të mposhtë gjermanen Sabine Lisicki 2-1 për t’u kualifikuar për herë të parë në çerekfinale të US Open. Numrit 2 të renditjes iu deshën 2 orë e 38 minuta lojë për të fituar këtë takim. Rumunia humbi setin e parë 6-7, por arriti të fitojë 2 të tjerët 7-5 dhe 6-2.

Një vend mes 8 më të mirave të turneut amerikan siguroi edhe Viktoria Azarenka, e cila mundi Lepcenkon në 2 sete 6-3 dhe 6-4.

Top Channel