Turqia dërgon trupa tokësore në Irak, në përndjekje të militantëve kurdë

08/09/2015 18:25

Trupat tokësore turke kanë kaluar kufirin me Irakun në ndjekje të militantëve kurdë, për herë të parë që prej armëpushimit të arritur dy vite më parë. Zyrtarë qeveritarë thonë se inkursioni ushtarak është një masë e përkohshme në ndjekje të rebelëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Avionët turq kanë nisur prej kohësh një valë sulmesh ajrore ndaj bazave të PKK-së në veri të Irakut, por këtë të martë i kanë përshkallëzuar ato. Shkak duket se është bërë humbja e jetëve të të paktën 14 oficerëve të policisë turke, pas një sulmi me bombë këtë të martë, për të cilin fajtorë janë shpallur militantët kurdë.

Sulmi i ndodhur në provincën lindore të Igdirit erdhi vetëm një ditë pasi disa sulme të tjera me bombë të dyshuara prej militantëve të PKK-së vranë të paktën 16 ushtarë në rajonin juglindor të Hakkarit.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se PKK-ja ka pësuar “dëme serioze” brenda dhe jashtë territorit të Turqisë dhe se ndodhet aktualisht në gjendje “paniku”.

“Forcat turke të sigurisë kanë kaluar kufirin me Irakun, si pjesë e një përndjekje të vendosur ndaj terroristëve të PKK-së, të cilët kanë qenë të përfshirë në sulmet e fundit”, tha një burim i afërt me qeverinë për agjencinë e lajmeve “AFP”. “Kjo është një masë afatshkurtër, që synon të parandalojë arratisjen e terroristëve”, shtoi ai.

Agjencia turke e lajmeve “Dogan”, tha se dy njësi të forcave speciale të Turqisë, të mbështetur edhe nga avionë luftarakë, kanë sulmuar dy grupe militantësh. Të paktën 35 rebelë janë vrarë nga sulmet ajrore në bazat e Qandilit, Basyanit, Avashinit dhe Zapit orët e para të së martës, bën të ditur agjencia tjetër turke “Anadolu”.

Përshkallëzimi i dhunës vjen pas anulimit të armëpushimit gjatë muajit korrik mes ushtrisë turke dhe militantëve kurdë të PKK-së. Paqja, që kishte hyrë në fuqi që prej vitit 2013, u shthur pas një sulmi vdekjeprurës të dyshuar prej militantëve të Shtetit Islamik pranë kufirit me Sirinë, gjë që çoi në një ringjallje të armiqësive të përbashkëta mes grupeve kurde dhe Turqisë.

Më shumë se 40 mijë persona kanë vdekur që kur PKK nisi fushatën e saj të armatosur në vitin 1984, kur nisi të bënte thirrje për një shtet të pavarur kurd brenda territoreve të Turqisë. Në sulmet e së dielës, PKK hodhi në erë dy mjete ushtarake të Turqisë në fshatin Daglica, shumë pranë kufirit me Irakun.

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu u kundërpërgjigj me një angazhim të palëkundur për “shfarosjen” e fortesave të rebelëve. “Malet do të spastrohen nga këta terroristë. Çfarëdo që të duhet për ta realizuar këtë, do ta ndërmarrim, vetëm e vetëm për t’i zhdukur njëherë e mirë”, tha ai.

Por, të martën, luftëtarët kurdë të PKK-së shënjestruan një minibus të policisë turke, që po drejtohej drejt një postblloku kufitar në enklavën e administruar prej Azerbajxhanit, Nakhchivan. Pak orë më pas, një polic u qëllua për vdekje, kur militantët kurdë hapën zjarr ndaj makinës së tij në shtetin lindor të Kuncelit.

Në një fjalim sfidues nga Ankaraja, këtë të martë, Erdogan premtoi se “me ndihmën dhe lejen e Zotit, Turqia – e cila ka tejkaluar një sërë sfidash dhe krizash, – do ta kalojë edhe këtë plagë terrori”.

Top Channel