Marrëveshja me Iranin, Obama gëzon mbështetjen e mjaftueshme për të shmangur veton

08/09/2015 18:50

Shtëpia e Bardhë është në prag të një fitoreje dramatike politike në Kongres, pasi një “stuhi” mbështetjeje e minutës së fundit për marrëveshjen bërthamore me Iranin i bën demokratët jenë disi më komodë dhe të sigurojnë votat e mjaftueshme për t’i kursyer Presidentit Barack Obama të përdorë veton e tij ndaj një mocioni mosmiratimi të saj nga Kongresi amerikan.

Të paktën 41 senatorë demokratë kanë shprehur deri më tani mbështetjen e tyre për marrëveshjen ndërkombëtare, që synon të parandalojë zhvillimin e armëve bërthamore nga Irani në këmbim të lehtësimit të sanksioneve të OKB-së, teksa të fundit që kanë konfirmuar këtë gjë janë senatori i Oregonit, Ron Wyden; ai i Connecticut-it, Richard Blumenthal, si dhe Gary Peters i Michiganit.

Në teori, këto vota do të ishin të mjaftueshme për kreun e pakicës demokrate, Harry Reid, që të bllokojë përpjekjet republikane për të kaluar mosmiratimin e marrëveshjes, si dhe shmangin nevojën që Presidenti i SHBA-ve të ndërmarrë hapin shqetësues politik të vetos ndaj legjislacionit në fjalë.

Gjithsesi, kjo gjë do të kërkojë ende që demokratët të votojnë kundër mocionit procedurial “cloture”, që i jep fund debatit dhe kërkon mbajtjen e votimit, ndaj dhe ende nuk është e qartë nëse, këtë të martë, të gjithë ata që mbështesin marrëveshjen me Iranin do të jenë të gatshëm ta bëjnë këtë gjë dhe të rrezikojnë të akuzohen si persona të përfshirë në një “betejë të paautorizuar kundër një vendi të huaj”.

Të paktën njëri, senatori Chris Coons i Delaware, ka bërë të ditur se është në favor të marrëveshjes, por dëshiron gjithsesi të shohë një votim zyrtar, në vend që votimi të anashkalohet përmes mjeteve proceduriale.

Top Channel