“Lutja e paqes”, klerikët japin mesazhe paqeje nga Tirana

08/09/2015 19:00

Me mbjelljen e një peme ulliri nga përfaqësuesit e besimeve fetare në Shqipëri, në atë që do të shndërrohet në parkun e besimit, nisi takimi përmbylles i “Lutjes së paqes”, një aktivitet që në 3 ditë e shndërroi kryeqytetin e Shqipërisë në kryeqendrën e besimit.

Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani theksoi se zgjedhja e Shqipërisë nga komuniteti i “San’t Egidios” për zhvillimin e këtij takimi nuk ishte rastësore.

“Ndodh kështu, sepse vendi ynë është një shembull frymëzues ndoshta edhe unik, ashtu siç shprehej i madhi Indro Montanelli, duke ndjellë fjalët se kjo është toka, ku Krishti dhe Muhamedi ecin krah për krah”, tha Presidenti Nishani.

Themeluesi i komunitetit “San’t Egidio”, Andrea Riccardi, nga Tirana theksoi me forcë se paqja është ajo, për të cilën besimet fetare punojnë.

“Nga Shqipëria, pjesë integrale e Europës, nga udhëheqësit e besimeve fetare të bashkuar, vjen një mesazh i qartë: Besimet fetare konsiderojnë të shenjtë vetëm paqen, për të cilën luten dhe për të cilën punojnë”, tha Andrea Riccardi.

Më pas, në nder të viktimave të terrorizmit dhe luftrave u mbajt një minutë heshtje, e shoqëruar me rënien e këmbanës së paqes, që ndodhet në Tiranë. E në fund, të gjithë përfaqësuesit e besimeve fetare nënshkruan një deklaratë të përbashkët paqeje, ku bëhej thirrje t’u jepet fund vrasjeve në emër të fesë.

Top Channel