Kosovë, Jahjaga takohet me ish-presidenten e Finlandës

08/09/2015 19:05

Presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka pritur sot në takim ish-presidenten e Finlandës, zonjën Tarja Halonen, me të cilën zhvilloi një bisedë të përzemërt dhe të gjatë.

Sipas një komunikate për media, Jahjaga dhe Halonen biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, perspektivën europiane të saj dhe të rajonit, për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, çështje të të drejtave të njeriut, me theks të posaçëm në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Ato biseduan edhe për çështjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës dhe ndihmën që duhet ofruar për riintegrimin e tyre në shoqëri.

Ish-presidentja e Finlandës, Tarja Halonen vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe theksoi se Finlanda është njëri ndër vendet mike që do të mbështesin stabilitetin, rendin dhe ligjin si dhe perspektiven europiane të Kosovës.

Top Channel