Shefi i Interforce: Avioni i drogës nuk fluturoi në Shqipëri. Rrjeti, brenda Italisë

08/09/2015 19:35

Pas tensioneve politike, që kulmuan ditën e hënë me akuza kundër ministrit të Brendshëm, për shkak të kapjes së një tjetër avioni në Itali, e që opozita e lidh me Shqipërinë, shefi i Interforce (misionit italian në Tiranë) Michele Grillo, gjatë një interviste për Top Channel deklaron se, avioni i sekuestruar në Itali nuk ka kryer asnjë fluturim për drogë në Shqipëri, por se rrjeti funksiononte brenda Italisë.

“Mund të konfirmojmë, që avioni i lehtë i nisur nga një fushë aviacioni në Piemonte ka fluturuar drejt Pulias dhe është kthyer sërish në Piemonte, duke fluturuar ekskluzivisht në territorin italian. Në fakt, avioni është lokalizuar, ka fluturuar dhe është sekuestruar në Piemonte. I janë dorëzuar drejtësisë dy qytetarë, një italian dhe një shqiptar, që të dy me precedentë. Mund të konfirmoj se avioni nuk ka fluturuar nga territori shqiptar dhe në këtë moment janë duke u kryer hetime, që janë të mbuluara nga sekreti hetimor. Konfirmoj bashkëpunimin mes Italisë dhe Shqipërisë, që ka ekzistuar gjithmonë, e që tashmë është konfirmuar me një aksion antidroge, ku u pa bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane”, tha Michele Grillo, drejtor i Interforce.

Shefi i misionit Interforce u tregua shumë i rezervuar edhe për operacionin dypalësh të pak ditëve më parë, që u mbyll me sekuestrimin e avionit ukrainas “Aeroprakt” si dhe me arrestimin e 14 personave, mes tyre edhe të pilotit, i cili kishte transportuar në rrugë ajrore më shumë se 100 kg kanabis, nga fshati Sevaster i Vlorës në Itali. I pyetur nëse ky rrjet kishte transportuar herë tjetër në këtë mënyrë drogë, Grillo deklaron:

“Sikurse e theksova dhe më parë, bashkëpunimi mes dy policive ka dhënë fryte edhe në këtë rast. Por, meqenëse hetimet janë në zhvillim e sipër, edhe ato konsiderohen sekret hetimor, për të cilat nuk mund të shprehem”, tha Michele Grillo.

Top Channel