Red Bull kërkon partnerë, gati Ferrari

08/09/2015 00:00

Ferrarit i hapet rruga për të nisur bashkëpunimin me Red Bullin. Ditët e fundit në ambientet e Formula 1 u fol shumë për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes Mercedesit me skuadrën austriake për furnizimin me motorë të kësaj të fundit, duke parë se ajo ka kërkuar edhe ndarjen nga Renault në fund të këtij sezoni.

Por skuderia gjermane duket se e ka refuzuar një propozim të tillë me motivin se ajo nuk dëshiron të forcojë një skuadër rivale. Krejtësisht e kundërta ndodh me Ferrarin që nuk e ka mohuar dëshirën për një bashkëpunim me Red Bullin, edhe pse kjo e fundit mund të bëhet më kompetitive.

“Red Bull ka në përbërje emra të mëdhenj si Adrian Newey që është disenjuesi kryesor i skuadrës austriake”, tha drejtori i përgjithshëm i Ferrarit, Maurizio Arrivabene për të përditshmen “The Guardian”.

“Nëse i jep kësaj skuadre një motor të mirë, atëherë ai do të jetë në gjendje që të krijojë një shasi të tillë që ta bëjë Red Bullin shumë kompetitive. Skuadra, inxhinierët e mi dhe specialistët për aerodinamikën e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë. Për këtë arsye unë nuk e kam problem bashkëpunimin me Red Bullin dhe gara është akoma më e bukur kur ke edhe një rival tjetër të fortë”, shtoi Arrivabene.
 
Red Bull ka përdorur motorët Ferrari edhe në vitin 2006, ndërsa një vit më vonë skuadra austriake lidhi kontratën me Renault. Një kontratë e re mes këtyre dy kompanive pritet të ketë ndikim duke qenë se edhe Sauber e Manor aktualisht janë me motorë Ferrari, ndërkohë që atyre në vitin 2016 do t’u bashkohet edhe skuadra e re, Haas.

Top Channel