Intervista e Grillos, Tahiri: Do të kërkojë falje kryeshqupisti?

08/09/2015 21:00

Pas transmetimit të intervistës për Top Channel të shefit të Interforce, Michele Grillo, i cili ndër të tjera theksonte se avioni i dytë me drogë i kapur në Torino të Italisë nuk kishte kaluar mbi territorin shqiptar përpara se të kapej nga forcat italiane të policisë, ka reaguar në rrjetin social Facebook edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në mesazhin e tij të shkurtër, kreu i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, i vënë në qendër të akuzave nga opozita që në seancën e parë plenare të sesionit të ri parlamentar, ka thënë se reagimi i shefit të Interforcës, misionit italian në Tiranë, është vetëm rasti i radhës kur partnerët ndërkombëtarë përgënjeshtrojnë gënjeshtrat banale, siç shprehet ai, të kryeshqupistit.

Personazhi në fjalë i referohet kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, prej të cilit ministri i Brendshëm Tahiri kërkon të dijë nëse, “kryeshqupisti” do të kërkojë falje pas akuzave dhe “shqyerjes” së shpifuri si nga selia, ashtu edhe në Parlament me anë të deputetëve demokratë.

“Me standardin e akuzave ndaj meje, (Basha) tani mund të thotë edhe që ministri i Brendshëm italian (Alfano) është supertrafikant i drogës, siç zakonisht zbulon SHQUP-i dhe shqupistat”, shprehet ministri Saimir Tahiri.

Tahiri nuk ka lënë pa komentuar edhe publikimin e disa fotove me bimë narkotike, kanabis sativa, nga kryetari i opozitës Basha në Facebook, më herët gjatë ditës, për të cilat shton:

“Meqe kryeshqupisti nxorri sot disa foto nga Gusmari, me kutin e tij të idiotësisë, unë i bie të them se ato që shfaqi janë parcelat e krushqisë, ku është dhëndër, meqë janë nga ajo zonë”.

Top Channel