Kriza e refugjatëve, europianët sensibilizohen për t’i ndihmuar

08/09/2015 21:30

Ditët e fundit po ndihet edhe më shumë sensibilizimi për çështjen  e refugjateve, jo vetëm te krerët e shteteve, apo te donatorët, por edhe tek njerëzit e thjeshtë, të cilët shtrojnë pyetjen:  Me çfarë mund t’i ndihmojmë?

Ndonëse ishte fotoja e djalit 2-vjeçar të mbytur në brigjet e Turqisë, ajo që përflitet se rriti shkallën e ndjeshmërisë te njerëzit, ajo që vihet re është se këto ditë janë kthyer në më tepër mikpritëse për refugjatët siriane.

Një numër i madh organizatash jo qeveritare kanë mbledhur shifra të konsiderueshme fondesh, por jo të gjitha kanë funksione të njëjta. Disa organizata si “Medecins Sans Frontieres” apo “Migrant Offshore Aid Station” zotërojnë anije shpëtimi për refugjatët, të cilët vazhdojnë të provojnë rrugët detare për të arritur Europën.

Nga ana tjetër, fondi “Aylan Kurdi” mbledh para për të ia dhënë refugjatëve për shpenzime ditore. Ndërsa, “Refugee Council” i përdor donacionet e saj për të edukuar fëmijët sirianë, ku mjaftojnë 100 paund në javë për të mbuluar shpenzimet për dy fëmijë. “Save the Children” merret me higjienën e refugjatëve, pasi mendohet se mungesa e këtyre kushteve do të përhapte një sërë epidemish në Europë. Kjo organizatë thotë se një donacion prej 50 paund mund të sigurojë sapun, peshqirë dhe një furçë dhëmbësh për të paktën një person.

Por ditë më të ftohta e presin kontinentin e vjetër dhe për këtë ka menduar kryqi i kuq britanik, ndaj 28 paund do të ishin ndihmë për të blerë batanije për refugjatët sirianë. Por nuk janë vetëm paratë “cash” ato që mund të japin dorë në këtë situatë, organizata “Refugee Action” pranon si donacion makinat apo telefonat e vjetër. E ndërsa “Music Against Borders” dhe “Jungle Books” kërkojnë libra dhe instrumenta muzikore që të jenë në funksion të refugjatëve.

Por, nëse jeni shtetas i një vendi që nuk ka politika pro azilantëve, atëherë disa organizata ndërkombëtare ftojnë shtetasit që të protestojnë për këtë kauzë me rëndësi. Ndaj të tilla grupime ftojnë njerëzit që vullnetarisht të bëhen pjesë e zgjidhjes së marshimit biblik të refugjatëve në Europë.

Top Channel