EURO 2016, Austria siguron kualifikimin. Rooney shkruan historinë më Anglinë

08/09/2015 23:30

Pas Anglisë, Republikës së Çekisë dhe Islandës, Austria bëhet përfaqësuesja e radhës që siguron një biletë për finalet e EURO 2016. Këta të fundit fituan në Stokholm përballë Suedisë së Zlatan Ibrahimoviç me rezultat të thellë 1-4.

David Alaba shënoi nga pika e bardhë për t’i lënë radhën edhe Martin Harnik të realizojë dygolësh dhe Mark Janko-s të futet në listën e golashënuesve. Goli i Ibrës nuk i mjafton Suedisë, të cilët i komplikojnë sërish punë vetes, duke u renditur të tretët në grup, me vetëm një pikë para Malit të Zi.

Ndërkohë, Rusia fitoi 0-7 në transfertë ndaj Lihtenshtejnit, ndërsa fitore shumë të rëndësishme arritën edhe fqinjët tanë veriperëndimor, Mali i Zi, që 2-0 mposhti Moldavinë falë golave të Saviç dhe autogolit të Racut.

Spanja hodhi një tjetër hap të rëndësishëm drejt finaleve të “Francë 2016”, pasi bëri gjithçka mirë në Shkup, ku në stadiumin “Philip II” mposhti me rezultat minimal 0-1 përfaqësuesen maqedonase. Pas një harkimi të Matës, portieri Pacovski futi topin në golin e tij, duke bërë që djemtë e Del Bosque të kalojnë në epërsi. Kaq i mjaftoi iberikëve që të arkëtojnë tre pikë të arta.

Ndërkohë, sfida më e rëndësishme e Grupit C, mes Sllovakisë dhe Ukrainës përfundoi pa fitues. Me këtë rezultat, sllovakët ruajnë diferencën prej tre pikësh me Ukrainën. Në sfidën tjetër të këtij grupi, Bjellorusia mposhti pa shumë problem Luksemburgun me rezultat 2-0.

Anglia vazhdon të jenë në një nivel të lartë. Të besuarit e Hodgson fituan në “Wembley” përballë Zvicrës 2-0. Kapiteni Rooney që hyri në fushë i shoqëruar nga njëri prej djemve të David Beckham, arriti të hyjë në histori si golashënuesi më i mirë i Kombëtares me 50 gola. Ai realizoi nga pika e bardhë për të vulosur fitoren, pasi më parë kishte shënuar edhe Kane.

“Rekord” ka arritur edhe mesfushori i City-t, Fabian Delph që bëri paraqitjen më të shkurtër me fanellën e kombëtares në një ndeshje. Ai u dëmtua 9 sekonda pasi filloi ndeshja, duke u zëvendësuar pas 60 sekondash.

Po në Grupin E, Sllovenia rimori vendin e tretë me fitoren 1-0 ndaj Estonisë, ndërsa Lituania mposhti me vështirësi 2-1 San Marinon që realizoi golin e saj të parë në sfidat kualifikuese pas pothuajse 2 vjetësh, ndërsa shënoi një gol në transfertë pas gati një dekadë e gjysmë.

Top Channel