Mbretëresha Elizabeth II bëhet monarkja më jetëgjatë në fron

09/09/2015 04:55

Mbretëresha Elizabethë, që mori fronin në moshën 25-vjeçare, pasditen e sotme (e mërkurë) do të bëhet Mbretëresha më jetëgjatë e Mbretërisë së Bashkuar. Ajo do të parakalojë stër-stër-gjyshen e saj Mbretëreshën Victoria që mbajti kurorën për 63 vite, 7 muaj, 2 ditë, 16 orë dhe 23 minuta.

Për nder të këtij momenti shumë të rëndësishëm, janë parashikuar shumë aktivitete, ndërsa vetë Mbretëresha do të qëndrojë në Skoci.

Kryeministri britanik, David Cameron ka vlerësuar rolin e Mbretëreshës në 6 dekadat e fundit, duke thënë se Elizabethë gëzon mbështetje në të gjithë botën.

“Gjatë 63 viteve të fundit, Madhëria e Saj, ka qenë një shkëmb stabiliteti në një botë ku kanë ndodhur shumë ndryshime. Shërbimi dhe roli që ka luajtur ajo ka bërë që të mos gëzojë mbështetje vetëm në Britani, por në të gjithë botën. Ne më të drejtë festojmë rekordin e saj të jashtëzakonshëm”, u shpreh Cameron.

Si një Princeshë e re, Elizabethë asnjëherë nuk e kishte menduar që të merrte kurorën, pasi i ati George VI mori fronin vetëm kur vëllai Edward VIII abdikoi në vitin 1936 për t’u martuar me një grua të divorcuar amerikane. Megjithatë, ai vdiq papritur në shkurt të vitit 1952.

Që kur mori fronin Elizabethë, Britania ka ndërruar 12 kryeministra, ndërsa Shtetet e Bashkuara 12 Presidentë.

Top Channel