Plani për refugjatët, Juncker: BE t’i japë zgjidhje krizës

09/09/2015 09:50

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker bëri sot publike planet e bllokut për frenimin e krizës më të rëndë të emigrantëve, që prej Luftës së Dytë Botërore.

Sipas propozimeve të hedhura në tryezë, 120 mijë azilkërkues do të shpërndahen mes vendeve anëtare të bllokut me kuota të detyrueshme. Por, krahu ekzekutiv i BE-së duhet të përgatitet edhe për përplasje të reja, sidomos me vendet e Europës Lindore, më të varfra se të tjerët në bllokun europian, të cilat e kanë bërë të qartë me kohë kundërshtinë ndaj skemës së shpërndarjes. Fjalimin e tij, Juncker e nisi me shprehjen: Nuk është koha të kemi frikë.

“Bashkimi Europian duhet të ndërmarrë veprime të guximshme për t’i dhënë zgjidhje krizës së refugjatëve. Ne europianët duhet të kujtojmë se, Europa është një kontinent, ku pothuajse të gjithë, në një moment të caktuar, kanë qenë refugjatë. Ne europianet duhet ta dimë e të mos e harrojmë kurrë se, e drejta e azilit është një prej të drejtave themelore dhe më të rëndësishme të njeriut. Kurrë nuk duhet ta harrojmë një gjë të tillë. Është e vërtetë se Europa nuk ofron dot strehë për të gjithë mjerimin në botë. Por, të paktën mund të bëjmë diçka”, tha Jean-Claude Juncker, kryetar i KE-së.

Sistemi i kuotave e ndihmon Berlinin e Parisin të heqin nga shpatullat një pjesë të barrës, duke detyruar vendet e tjera të marrin emigrantë në procesin e shqyrtimit të pretendimeve të tyre për azil. Propozimi për të sistemuar 40 mijë vetë, në muajin maj, u bllokua nga udhëheqësit kombëtarë dhe përpjekja e shpërndarjes në mënyrë vullnetare dështoi.

Tani, përpos atyre 40 mijëve, do të sistemohen dhe 120 mijë të tjerë në bazë të një formule, që merr në konsideratë madhësinë e shtetit anëtar, fuqinë e tij, ekonominë dhe historinë që ka pasur me pranimin e emigrantëve në të shkuarën.

Kështu, me përllogaritjet e Komisionit, Polonia mes të tjerësh, që pretendon se mund të pranojë vetëm 2000 vetë, do të duhet të marrë sipas propozimeve të reja 12 mijë azilantë. Shtetet që nuk duan të bëhen pjesë e skemës, daljen nga detyrimi për të pranuar emigrantë do të mund ta fitojnë përkohësisht me kontribute financiare, që diskutohet të mbërrijnë te 0.002% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Me 160 mijë refugjatët që synon të sistemojë, programi europian i rishpërndarjes është shumë i vogël, krahasuar me 800 mijë emigrantët që vetëm Gjermania llogarit të marrë këtë vit. Berlini, siç e ka bërë të qartë vetë, synon më shume që t’i bindë partnerët e BE-së të jenë pjesë e zgjidhjes së këtij ngërçi, me qëllimin të ruhet uniteti europian përballë krizës më të ngutshme të momentit, me të cilën përballet kontinenti i vjetër.

Top Channel