Pengoi refugjatin sirian me të birin në krah, pushohet nga puna operatorja hungareze (VIDEO)

09/09/2015 10:25

Petra Lazlo u pezullua menjëherë nga puna në televizionin hungarez “N1TV”, ku edhe punonte si operatore. Shkak i vendimit unanim të drejtuesve të tij ishin pamjet e marra nga kolegët e saj, ku Lazlo shihet duke zgjatur këmbën e duke rrëzuar qëllimisht në tokë një refugjat sirian, që vraponte i frikësuar prej policisë me fëmijën në krah.

Burri shembet në tokë duke e zënë të miturin nën vete. Xhesti i shëmtuar, që kontraston thellë me dëshpërimin e emigrantit, i solli opetatores pezullimin e menjëhershëm, vetëm pak minuta pasi videoja përfundoi online.

Sot, një kolege e “N1TV” u soll në mënyrë krejtësisht të papranueshme në qendrën e pritjes së Roszkes, thuhet në deklaratën e postuar prej stacionit televiziv në faqen e tij zyrtare. Për këtë arsye u vendos pushimi i menjëhershëm i saj nga puna – sqarohet aty, – ndërsa telashet e operatores duket se nuk do të përfundojnë këtu.

Dy parti opozitare deklaruan se, do të kërkojnë ngritjen e një aktpadie ndaj saj, për dhunë ndaj një pjesëtari të komunitetit, duke rrezikuar dënimin deri në 5 vite heqje lirie.

Nuk kanë vonuar reagimet e ashpra në rrjetet sociale, ndërsa në Facebook menjëherë është krijuar një faqe me emrin “Petra Laszlo, muri i turpit”, ku njerëzit kanë dënuar ashpër veprimin e kameramanes, duke e etikuar atë vetë si “patetike”, e xhestin e saj si tepër të ulët.

Siriani, që ajo rrëzoi, ishte një prej qindra emigrantëve të zemëruar nga trajtimi i forcave policore hungareze, çfarë i shtyu të tentonin largimin prej andej. Situata e rënduar e azilkërkuesve, jo vetëm në Hungari, por edhe në vende të tjera të bllokut, e nxiti një ditë më parë Komisionerin e Lartë të OKB-së për refugjatët, Antonio Guterres, të dilte me një deklaratë të fortë ndaj Bashkimit Europian.

Qasja e BE-së kundrejt emigrantëve është totalisht “jofunksionale” – qenë fjalët e tij. – Është e qartë se bëhet fjalë për një krizë serioze. Por është po kaq e qartë, edhe për mua personalisht, se nëse Europa do të organizohej siç duhej, kjo do të ishte një krizë mëse e menaxhueshme, – shtoi Guterres, – sepse po flasim për 4000 apo 5000 persona të mbërritur në ditë në një union që ka më shumë se 500 milionë vetë.

Top Channel