Bushati: Raporti ishte pozitiv, tregon përmirësim të të gjithë procesit

09/09/2015 12:10

Përballë kreut të opozitës, për Qeverinë shqiptare, leximin e raportit të OSBE-ODIHR e ka bërë shefi i diplomacisë. Qeveria shqiptare – tha Ditmir Bushati, – përshëndet evidentimin e raportit se procesi zgjedhor i 21 Qershorit ka pasur përparime, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

Për Qeverinë e Edi Ramës, që organizoi të parat zgjedhje pas ardhjes në pushtet, treguesit e progresit ishin të qarta. Jo vetëm dita e zgjedhjeve ishte krejtësisht normale, sikundër edhe periudha para saj, por është përmirësuar dukshëm procesi gangrenë i zgjedhjeve, ai i numërimit, kur në raport – sipas ekzekutivit, – thuhet qartë se në 93 për qind të vendnumërimeve nuk pati asnjë parregullsi.

“Theksoj vlerësimet që ka pasur OSBE-ODIHR për zgjedhjet e mëparshme, ku thuhej që një pjesë e mirë e procesit nëpër qendrat e numërimit nuk e kalonte klasën, ndërkohë që në këtë raport, ne nuk kemi asnjë klasifikim të tillë as sa i përket procesit zgjedhor, as për sa i përket integritetit të procesit të numërimit. Në qoftë se në raportet e tjera kemi pasur fraza rrënqethëse sa i përket mungesës së vijës ndarëse mes shtetit dhe pushtetit, në këtë raport, për herë të parë, përveç problematikave që evidentohen në këtë drejtim, evidentohet nga ana tjetër edhe vullneti i qeverisë, i kryeministrit për sa i përket rastit të legalizimeve për të mos e përsëritur si praktikë dhe për t’u ndarë nga kjo praktikë”, u shpreh kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati.

Vlerësimeve të opozitës se, këto ishin zgjedhjet më të këqija që prej 2003-shit, Ditmir Bushati u përgjigj duke kapërcyer një proces zgjedhor, duke shkuar tek ai i 2011-s, kur i kujtoi Lulzim Bashës sesi u zgjodh kryetar bashkie.

“Mund t’iu ftoj që të bëjmë një krahasim të të gjithë raporteve të OSBE-ODIHR në Shqipëri, të krahasojmë qoftë në zgjedhjet e 2011-s, ku flitet qartë për përdhunim të rregullave të lojës, për një KQZ totalisht partiake”, deklaroi ministri i Jashtëm Bushati.

Por, një argument për të kundërshtuar opozitën, Qeveria e ka edhe për këtë proces zgjedhor.

“Nuk di për asnjë nga proceset zgjedhore në 61 bashki të vendit, të ketë pasur një ankesë apo një padi që të ketë shkuar deri edhe në gjykatë nga ana e opozitës, që pretendon mungesën e besueshmërisë së këtij procesi dhe manifakturimin e rezultatit”, tha më tej Bushati.

Ndërsa nuk përbën më asnjë habi, që raportet e ndërkombëtarëve lexohen ndryshe nga palët në Shqipëri, Ditmir Bushati këmbëngul për një lexim të drejtë të dokumentit përfundimtar të skanimit të zgjedhjeve nga OSBE-ODIHR.

“Pavarësisht se roza më pëlqen si ngjyrë dhe është ngjyra e forcës politike që unë përfaqësoj, nuk do të ndaja konstatimin me ju që leximi i qeverisë shqiptare është rozë. Për sa kohë, qeveria shqiptare në mënyrë të kthjellët njeh progresin që evidenton raporti, e gjithashtu është e gatshme për të përmirësuar dhe konsoliduar më tej procesin zgjedhor, për sa i takon pjesës që ka qeveria shqiptare në një proces të tillë, bazuar mbi rekomandimet specifike që ka raporti i OSBE-ODIHR”, përfundoi fjalën ministri Ditmir Bushati.

Top Channel