Kosovë, serbët shtyjnë ligjin e arsimit për më shumë akses

09/09/2015 12:35

Edhe gjatë kësaj të mërkure në mbledhjen e Qeverisë, “Lista Serbe” tregoi fuqinë e saj politike, duke kërkuar mosmiratimin e  projektligjit për Arsimin e Lartë në Kosovë, pa u konsultuar më herët për këtë çështje.

Përfaqësuesi i këtij subjekti në Qeveri, ministri Lubomir Mariç kërkoi nga kryeministri, Isa Mustafa, që Qeveria të ketë kujdes dhe të parashikojë me këtë projektligj edhe Universitetin e Mitrovicës së Veriut, një institucion arsimor i serbëve, që financohet edhe nga Qeveria e Serbisë.

“Ne nuk kemi pasur mundësi qasjeje në këtë ligj, ndaj rekomandimi ynë është që të na jepet mundësia edhe neve ta rishikojmë bashkë, para se ky ligj të vihet në rend dite për miratim. Dua të tërheq vërejtjen se, në veri të Mitrovicës kemi një universitet. Nuk jam i sigurt, nëse janë bërë konsultime me drejtuesit e këtij universiteti, lidhur me ligjin për Arsimin e Lartë”, tha Lubomir Mariç, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Meqenëse ligji ka një vëllim të madh, ne mund të kërkojmë – edhe me pëlqimin e ministrit, – që ta shtyjmë për mbledhjen e ardhshme të Qeverisë”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

“Mendoj se nuk kemi ndonjë arsye të madhe për shtyrjen e ligjit, sepse ai është diskutuar. Sa i përket Universitetit të Mitrovicës Veriore, është gjetur një zgjidhje shumë e mirë me faktorin ndërkombëtar, një zgjidhje shumë pozitive. Kjo, sepse është hapur rruga e integrimit të këtij universiteti brenda hapësirës kombëtare të Arsimit të Lartë. Por, në qoftë se ju, kryeministër, vlerësoni të nevojshme diçka të tillë, ne mund të lëmë një afat prej maksimumi dy javësh”, tha Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Pasi arritën ta shtyjnë projektligjin për Arsimin e Lartë, ministrat e “Listës Serbe” patën sërish një kërkesë të njëjtë në pikën vijuese të mbledhjes së Qeverisë, ku u shqyrtua projektligji për lirinë fetare në Kosovë.

Sapo zëvendëskryeministri, Kujtim Shala përmendi njëra pas tjetrës bashkësitë fetare në Kosovë, duke filluar nga Bashkësia Islame e Kosovës, pastaj Kisha Katolike e më pas Kisha Ortodokse serbe, ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiç, – nga “Lista Serbe” – kërkoi që Kisha Ortodokse serbe të jetë e renditur menjëherë pas Bashkësisë Islame.

Kjo kërkesë ngjalli reagim të menjëhershëm të ministrit Memli Krasniqi, i cili i kërkoi kryeministrit të mos lejojë kërkesa të tilla brenda mbledhjeve.

“Zoti kryeministër, ndoshta nuk është mirë që ne – këtu në Qeveri – të krijojmë një praktikë të ndryshimeve të momentit të fundit, sepse kemi një proces konsultimesh të hapur, ku kanë mundësi të gjitha ministritë të japin komentet e tyre, para se ligji të vijë këtu. Kështu që, mendoj se ky nuk është momenti, ku neve të na duhet të bëjmë ndryshime ad-hoc”, tha Memli Krasniqi, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Kërkesa e ministrit Krasniqi mori mbështetjen e kabinetit qeveritar dhe projektligji për bashkësitë fetare kaloi sipas propozimit të zëvendëskryeministrit, Kujtim Shala.

Ky projektligj njeh si bashkësi fetare: Bashkësinë Islame të Kosovës, Kishën Katolike, Kishën Ortodokse serbe, Bashkësinë e Hebrejve, Kishën Protestante Ungjillore të Kosovës dhe Bashkësinë e Tarikateve të Kosovës, të cilat nëpërmjet tij fitojnë statusin e personit juridik.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar janë emëruar edhe anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike, si Posta e Kosovës, Aeroporti i Gjakovës dhe Hekurudhat e Kosovës.

Top Channel