Basha në Postribë, thirrje për protesta kundër qeverisë

09/09/2015 12:55

Lulzim Basha nuk mund të gjente rast më të mirë sesa ai i Postribës për të mbajtur një nga fjalimet e tij më të ashpra kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Në Postribë, ku mori pjesë në prkujtimin e kryengritjes së famshme kundër regjimit komunist, Basha nuk përdori asnjëherë termin “demokraci” për të përshkruar qeverisjen aktuale të vendit.

“Qeveria është në aleancë me një tjetër krim, me krimin ordiner, me njerëzit e drogës dhe të vrasjeve, që duan të kthejnë Shqipërinë në një diktaturë hibride, të një pushteti dhe shteti që godet liritë dhe të drejtat themelore në aleancë me bandat më të rrezikshme në vend. Një aleancë që ushqen njëra-tjetrën. Vidh popullin, bjeri popullit dhe paguaj me paratë e korrupsionit dhe të drogës bandat që mbajnë në këmbë pushtetin. Shpresa e tyre është se shqiptarët nuk e kanë kurajon të ngrenë kokën. Basti i tyre është se propaganda dhe mashtrimet do t’i bëjnë shqiptarët ta hanë sapunin për djath. Por sot i them nga Postriba kreshnike, bashkë me rininë e Postribës, Shkodrës, se e kanë gabim. Çohu rini e Postribës, çohu rini e Shkodres, çohu rini e Shqipërisë! Ju keni në genet tuaja fisnike mosmposhtjen nga diktatura e Enver Hoxhes. Ju nuk mund të pranoni kurrë diktaturën e krimit, diktaturën e bandave, diktaturën e korrupsionit”, deklaroi Basha.

Partia Demokratike nuk ka lajmëruar protesta tani së afërmi, por kryetari i saj la të kuptohet se është gati t’i organizojë ato në çdo kohë, sepse, siç thotë ai, aleanca e qeverisë me krimin po sfidon aleatët euro-atlantike dhe po pengon rrugën për në Europë.

“Bashkë do t’i shporrim, bashkë do t’i largojmë dhe do të kthejmë në vend amanetin e martirëve të Postribës, për një Shqipëri të lirë, demokratike perëndimore që ecën krah për krah dhe nuk i sfidon aleatët euro-atlantikë e amerikanë duke bërë aleancë me krimin, siç bëjnë Ilir Meta dhe Edi Rama. Çohu, rini e Postribës me Partinë Demokratike, t’i japim fund këtij regjimi të korruptuar e të hapim rrugën e një ere të re për Shqipërinë në Europë”, u shpreh Basha.

Top Channel