Kosovë, publikohet raporti 8-mujor i të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore

09/09/2015 13:15

Ministria e Financave të Kosovës ka publikuar këtë të mërkurë raportin për performancën e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore për periudhën Janar-Gusht 2015, i cili përmban një analizë të shkurtër mbi trendet kryesore në të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore përgjatë kësaj periudhe.

Qëllimi i këtij raporti është të ofrojë informacione rreth performancës së të ardhurave, përkatësisht ekzekutimit të shpenzimeve, në raport me planin buxhetor vjetor, si dhe krahasimin me periudhat paraprake.

Sipas këtij raporti, del se të ardhurat e përgjithshme buxhetore përgjatë periudhës Janar-Gusht janë rritur me 8.2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, të nxitura kryesisht nga të ardhurat tatimore.

Të ardhurat nga taksat kufitare përgjatë kësaj periudhe janë në shifrat 593.7 milionë euro, apo 7.9% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Përveç rritjes në vlerë dhe sasi të importit, kësaj rritjeje i ka kontribuuar edhe rritja e normës së akcizës në disa produkte dhe rritja e importit të tyre.

Importi i naftës, si produkti që ka pësuar më së shumti rënie në çmim (rreth 15% mesatarisht përgjatë pjesës së parë të vitit 2015, sipas ASK-së) është karakterizuar me një rritje prej 15.9% në sasi dhe rritje prej 10.1% në vlerë doganore, përgjatë periudhës së marrë në shqyrtim.

Rritje të theksuar në sasi, e rrjedhimisht në të ardhura, ka shënuar edhe importi i automjeteve. Më konkretisht, automjetet e reja kanë regjistruar një rritje me 173 copë, ndërsa ato të vjetrat janë rritur me 1,650 copë; rritje që mund të ketë ardhur si pasojë e vendimit për uljen e normave të akcizës për automjetet e vjetra deri në një numër të caktuar vitesh.

Të ardhurat e arkëtuara në vend për këtë periudhë regjistruan një rritje me 9.2%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014, duke kapur vlerën prej 219.6 milionë eurosh.

Top Channel