Qeveria, projektligj për gazifikimin e Shqipërisë

09/09/2015 13:35

Në një kohë kur konsorciumi “TAP” ka nisur punën për ndërtimin e gazsjellësit, që do të transportojë gazin natyror nga Azerbajxhani në Europën Perëndimore, qeveria po bën gati bazën ligjore, në mënyrë që Shqipëria të mos mbetet vetëm vend tranzit, por të përfitojë nga ky gaz, duke diversifikuar burimet e energjisë.

Ministri Damian Gjiknuri prezantoi në Kuvend projektligjin e gazit natyror, ndërsa deklaroi se, pas përfundimit të masterplanit në vitin 2016 dhe përcaktimit të zonave ku do të nisë ndërtimi i rrjeteve të gazit, të parët do të përfitojnë konsumatorët e mëdhenj, e më pas ata familjarë.

“Shqipëria mund të ketë një konsum prej gati 1 miliard metër kub gaz, që mund të jetë i mjaftueshëm si fillim për industrinë dhe disa konsumatorë të mëdhenj. Ky proces do të fillojë të shtrihet më pas edhe te konsumatorët familjarë”, tha Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë.

Ministri thotë se sistemi i transmetimit të gazit nuk do të jetë monopol i “Albpetrol”, por se do të ketë disa operatorë, që do të operojnë në treg.

“Kur themi se do të krijojmë një TSO të gazit, duke e ndarë atë nga ‘Albpetroli’ që e ka aktualisht si licencë, synimi është të krijojmë një njësi për ta filluar këtë çështje. Por nuk mendojmë, që të gjitha këto investime do të vijnë nga burime shtetërore, pasi kjo është e pamundur. Legjislacioni për partneritetin publik-privat lë hapësira për gjetjen e investitorëve strategjikë për procesin e gazifikimit”, tha më tej Damian Gjiknuri.

Një nga investitorët e interesuar, ministri Gjiknuri thotë se është vetë “SOCAR”. Ndërkaq “TAP” është ofruar për studimin e fizibilitetit, për të lidhur TEC-in e Vlorës, një investim prej 110 milionë euro, por që nuk është vënë kurrë në funksionim me pikën e daljes në Fier, duke bërë të mundur prodhimin e energjisë përmes gazit.

Top Channel