Sistemi parauniversitar, edhe këtë vit me dy turne

09/09/2015 14:10

Qindra nxënës të sistemit parauniversitar, edhe këtë vit të ri shkollor do të vijojnë mësimin me dy turne. Zhvillimi i zgjedhjeve lokale, gjatë qershorit, ka sjellë një ngadalësim të punimeve dhe shumë shkolla të vendit janë në proces rikonstruksioni.

“Problematika do të kemi në rrethet e mëdha, pasi ende nuk kanë përfunduar shkollat, që fatkeqësisht janë një pjesë në rikonstruksion, për arsye se punimet kanë filluar me vonesë edhe prej fushatës dhe zgjedhjeve të pushtetit lokal. Firmat duket se kanë punuar më ngadalë, por do të doja shumë të gjeja mirëkuptimin e tyre dhe t’u bëja thirrje edhe kryetarëve të Bashkive, të marrin përsipër – në partneritet të fortë me Ministrinë e Arsimit – vendimmarrjet për të përshpejtuar punimet e firmave që janë duke punuar. Të ndihmojnë për kushtet e emergjencës”, u shpreh zëvenësministrja e Arsimit, Nora Malaj.

Tri ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, në arsimin bazë janë regjistruar 306 mijë nxënës. Për herë të parë, Ministria e Arsimit dhe Sportit po ofron mundësinë që nxënësit, të cilët kanë përfunduar arsimin bazë, të mund të vijojnë gjimnazin “part-time”, si në arsimin profesional edhe në atë publik, ku deri më tani janë regjistruar 256 nxënës.

“Edhe një pjesë të atyre të rinjve, që vijnë nga shtresat e margjinalizuara, ose që kanë pasur problematika për arsye nga më të ndryshmet, do të jetë sistemi ‘part-time’ shtetëror, e theksoj sepse nuk ka sisteme ‘part-time’ private, të cilat janë mbyllur të gjitha që vitin e kaluar”, deklaroi më tej Nora Malaj.

Në të gjitha shkollat e vendit ka vijuar shpërndarja e teksteve. Ka mungesa vetëm në 10% të teksteve, të cilat brenda muajit shtator do të jenë në duart e nxënësve.

Top Channel