Haradinaj: Të protestojmë kundër marrëveshjeve në Bruksel, por pa dhunë

09/09/2015 14:35

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një konference për mediat bëri të ditur se, që nga kjo e mërkurë do të angazhohen për thirrje, organizim dhe përkrahje të protestave, kundër marrëveshjeve të fundit në Bruksel, shkallës së lartë të korrupsionit dhe tema të tjera – sipas tij, – të dëmshme për Kosovën.

Por, për dallim nga Lëvizja Vetëvendosje, që pas nënshkrimit të marrëveshjeve në Bruksel nuk e kanë përjashtuar dhunën, Haradinaj tha se AAK është e prerë: nuk lejon dhunën dhe rrënimin e vendit.

“Kjo nuk është më nisje ad-hoc, nuk është as e përkohshme. Është një nisje për të arritur pengimin e degradimit të gjendjes në vend, qeverisjes, por jo me dhunë dhe jo duke rrënuar. AAK është e prerë, nuk lejon shkatërrimin e vendit, sepse nuk kemi nevojë për këtë. Mund të arrihen qëllimet e protestës, kuptohet me kualitet, me qetësi dhe me porositë, pa shkaktuar dhunë në vend”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

I pyetur nëse do të veprojnë së bashku me partitë opozitare, Haradinaj ka shtuar se veprimet ndarazi nuk pengojnë angazhimin e përbashkët.

“Besoj se, çdo qytetar sot mund të protestojë në mënyrën e vet, por mund të jemi edhe të gjithë bashkë. Pra, asgjë që ndodh ndarazi nuk e pengon një angazhim të përpashkët, por të gjitha këto janë në funksion të sensibilizimit qytetar për të protestuar së bashku”, tha Ramush Haradinaj.

Haradinaj bëri të ditur gjithashtu se, ndër temat e protestave do të jetë edhe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, duke shtuar se shpreson, që kjo marrëveshje të mos marrë dy të tretat e votave, kur ajo të sillet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.

Haradinaj deklaroi se, vendimi politik i AAK-së për organizimin e protestave ka ardhur pasi gjendja në vend është rënduar në tërësi, degradimi ka marrë përmasa shqetësuese dhe elementet humbëse të marrëveshjeve të fundit janë prekëse dhe sepse – siç tha ai, – shihet humbja e territorit.

Top Channel