Fluks në QKR, biznesi në Korçë: Shtyni aksionin, 70% janë informalë

09/09/2015 15:20

Drejtuesit e shoqatave të biznesit në Korçë kërkojnë nga tatimet shtyrjen e aksionit kundër informalitetit në mënyrë që t’i jepet kohë biznesit të formalizohet.

70 përqind e biznesit në këtë qytet ka qënë informal dhe sipas tyre zyrat e QKR-së dhe pikat e kasave fiskale nuk e përballojnë dot fluksin. Problem shumë i mprehtë është fati i mallrave që janë gjendje, të cilat janë shitur nga biznesi i madh pa faturë.

“Çdo biznes i madh në Shqipëri duhet t’i shesë me faturë tatimore biznesit të vogël, dhe biznesi i vogël ia jep klientit. Kështu funksionon bota. Në Shqipëri deri tani flasim për një evazion fiskal të madh që vazhdon akoma dhe sot dhe flasim për informalitet që ka qënë jo i pakët, po 70%. Atëherë evazionin fiskal akoma dhe sot e kryejnë kompanitë e mëdha që nuk kanë dhënë fatura tatimore dhe kupon tatimor për biznesin e vogël, por kanë dhënë mall pa letra për biznesin e palicencuar. Kjo ka nxitur dhe ka konkurruar biznesin e vogël të ndershëm”, thotë Albert Nasto, kryetari i shoqatës së biznesit, Korçë.

Biznesi ankohet se edhe në rastet kur u jepet faturë nga furnitorët e mëdhenj, çmimi real është shumë më i lartë se ai që marrin në faturë.

Top Channel