Rrëfimi i priftit sirian: Ndalojeni atë luftë, është një gjenocid i pastër

09/09/2015 15:35

Armash Nalbandian është një ndër priftërinjtë në Siri, të cilët përballen çdo ditë me dhimbjen dhe vuajtjen e familjeve siriane.

Në prani të qindra europianëve, të cilet u lutën për paqen në botë, ai solli vuajtjen dhe dhimbjen e familjeve siriane, të cilët ndërmarrin rrugën e eksodit, edhe pse e dinë se mund të përballen me vdekjen.

“Ne po flasim për 220 mijë njerëz që janë vrarë. 12 milionë kanë nevojë për ndihmë humanitare, 4 milionë janë larguar nga vendi, 7.6 milionë kanë lënë shtëpitë e tyre. Ky është një gjenocid në të gjithë tiparet e tij”, tha prifti Nalbandian.

Armash Nalbandian na tregon se, Turqia është toka e ëndrrave për sirianët. Në avionin, me të cilin ai duhej të nisej, u ndesh me një vajzë të vogël, e cila shoqërohej nga e ëma.

“Po shkoja në Bejrut të merrja avionin tim, pashë 20 autobusë me njerëz që kalonin kufirin. Në avion ishin të gjithë sirianë, që po fluturonin drejt Turqisë, e cila për ta është bota e re. Në avion ishte një vajzë e vogël dhe e ëma, ato vinin nga verilindja e Sirisë. Kishin ecur deri në Liban dhe kishin pritur në aeroport dy ditë, pa pasur asgjë për të ngrënë. Donin të ruanin furnizimet. Pas dy ditësh, vajza ishte dobësuar aq shumë sa i ranë të fiktit”, rrëfen prifti sirian.

Armash kërkon, që Europa të hapë dyert për këta njerëz, të cilët çdo ditë po përballen me vdekjen. “Ne nuk mund të ndërpresim këtë eksod masiv, për të ndërprerë konfliktet e ndryshme. Fetë duhet të luajnë një rol më të madh. Europa duhet t’i ndihmojë refugjatët, t’i pranojë, t’u japë asistencë”, tha Armash.

Top Channel