Siri, rebelët marrin nën kontroll bazën kyçe ajrore

09/09/2015 16:40

Rebelë sirianë të lidhur me Al Kaedën kanë marrë nën kontroll një nga bazat ajrore kryesore në provincën veri-perëndimore të Idlibit, në Siri, pas një muaj betejë.

Lajmin e bën të ditur televizioni publik sirian. Baza Abu al Duhur ishte vendi ku ishin pozicionuar për herë të fundit trupat ushtarake të regjimit sirian në këtë provincë, që pas kësaj beteje ka kaluar nën kontrollin e plotë të rebelëve.

Militantët që kanë kryer sulmin mendohet të jenë pjesë e një koalicioni grupesh islamike, përfshirë këtu atë të Frontit Al Nusra.

Marrja nën kontroll e bazës ajrore, sipas raportimeve mediatike, mendohet të jetë ndihmuar nga një stuhi rëre që ka përfshirë rajonin e që ka penguar ndërhyrjen e forcave ajrore siriane.

Që nga fundi i muajit mars, rebelët islamikë kanë zaptuar qytete të ndryshme në provincën e Idlibit, përfshirë kryeqendrën me të njëjtin emër.

Ata avancuan ofensivën e tyre në lokalitetin Abu al Duhur në fund të gushtit, duke përdorur edhe sulme vetëvrasëse për të marrë hyrjen e bazës ajrore dhe pozicione të tjera kyçe në rrethinat e zonës.

Trupat e regjimit sirian raportohet të jenë tërhequr duke i hapur kështu rrugë depërtimit të rebelëve. Koalicioni i militantëve që ka kryer sulmin është identifikuar si Ushtria e Pushtuesve.

Top Channel