Koalicioni për Zgjedhje të Lira: Ndikim politik dhe mungesë transparence

09/09/2015 17:15

Një ditë pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 21 qershorit, Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme prezantoi edhe ai raportin perfundimtar për këtë proces elektoral.

Koalicioni vlerëson se ndërkohë që dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe e rregullt, periudha para dhe pas zgjedhjeve u karakterizua nga një sërë mangësish, si përballë legjislacionit kombëtar ashtu edhe standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira e të ndershme.

Në raport theksohet se puna e Organeve të Administrimit të Zgjedhjeve u ndikua shumë nga vullneti i partive politike dhe se ka pasur një mungesë të konsiderueshme transparence.

“Proçesi i numërimit të votave është pjesa më delikate dhe e pasigurt e zgjedhjeve në Shqipëri. Procesi ishte jo transparent, duke filluar që nga mbyllja e qendrave të votimit dhe transportit të kutive të votimit për në Qendrat e Numërimit të Votave, e deri te proçeset brenda QNV-ve. Për më tepër që planimetria e QNV-ve, me tavolina dhe me grupe të shumta numërimi, nuk ofroi një pamje të qartë për vëzhguesit për shkak të distancës së papërshtatshme nga tavolinat e numërimit”, deklaroi Dhimitër Gjodede, koordinator i vëzhguesve afatgjatë.

Në fund, Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme i kërkoi Parlamentit që të organizojë një diskutim publik me të gjithë aktorët në lidhje me reformën elektorale e që të adresojë rekomandimet e kahershme të OSBE-ODIHR-it dhe çështjet e identifikuara gjatë zgjedhjeve të fundit nga vëzhguesit shqiptarë.

Top Channel