Mesazhi anti-emigracion, Danimarka shkakton polemika

09/09/2015 00:00

“Të dashur emigrantë mos ejani këtu”. Është ky mesazhi që Danimarka i përcjell emigrantëve përmes disa të përditshmeve.

Qeveria daneze publikoi gjate ditëve të kaluara, në disa të përditshme libaneze një njoftim të Ministrisë së emigracionit, në gjuhën arabe dhe angleze. Aty theksohet se qeveria e re e Kopenhagenit ka implementuar norma që reduktojnë deri në 50 përqind asistencën financiare për emigrantët e sapoardhur në vend e që limitojnë mundësinë për të marrë lejen e qëndrimit.

Ribashkimi me familjen nuk do jetë i lejueshëm përgjatë vitit të parë për personat që kanë fituar një leje të përkohshme qëndrimi. Lajmi u pasqyrua menjëherë në rrjetet sociale, duke ngjallur indinjim e kritika drejt Danimarkës.

Nga ana e saj, ministrja për Emigracionin dhe Integrimin danez , Inger Stojberg, shpjegoi se lajmërimi ofron informacione objektive lidhur me rregullat në vend.

“Duke konsideruar fluksin e madh të refugjatëve që po hyjnë në Europë këto ditë, ekziston nevoja për të fuqizuar rregullat e për të bërë të ditur këtë. Qarkuan zëra se Turqia kishte refuzuar të publikonte një mesazh të tillë, por një zëdhënës i ministrisë përgënjeshtroi lajmin.

Top Channel