Viti i ri shkollor, Veliaj: Bashkia, masa për transportin e fëmijëve

09/09/2015 18:05

Kur mbeten edhe pak ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë inspektimit në shkollën “Ali Demi”, një nga 60 shkollat e kryeqytetit ku janë kryer ndërhyrje, ka bërë publike dhe masat e reja që do të merren këtë javë për t’u ardhur në ndihmë 100 mijë nxënësve të kryeqytetit.

“Nga kjo javë, Bashkia e Tiranës do të nxjerrë disa urdhëra për të rregulluar transportin publik. Kompanitë janë tashmë të lajmëruara për faktin se nuk do të ketë furnizim të dyqaneve apo minimarketeve gjatë orëve të ditës. Çdo mëngjes shkaktohet trafik për shkak se furnizimi i marketeve bëhet në të njëjtën kohë kur familjarët nxitojnë të çojnë fëmijët në shkollë, ndaj kjo s’duhet të ndodhë më. Do heqim pa asnjë njoftim paraprak të gjitha ndërtimet rreth e rrotull shkollave që janë bërë pa leje dhe janë të palegalizuara. Nëse ka ndërtime pa leje, pronarët duhet të përgatiten sepse shumë shpejt ato do të prishen, pasi ne nuk mund të mbushim me çibane çdo lloj shkolle ku shkojnë 100 mijë fëmijë të këtij qyteti”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj njoftoi gjithashtu se do të ketë nisma të reja që do të prekin dhe mjetet e transportit publik që transportojnë fëmijët në shkolla, duke i çertifikuar ato.

Top Channel