PD: Dorëheqja, i vetmi shteg për Ilir Metën

09/09/2015 18:45

Partia Demokratike këmbëngul në qëndrimin e saj për dorëheqjen e kreut të Kuvendit, Ilir Meta.

Deklaratat e kryeparlamentarit Ilir Meta në lidhje me akuzat e opozitës, nuk bindin Selinë Blu, e cila thotë se për kreun e Kuvendit ka vetëm një rrugëdalje.

“Ilir Meta po prodhon çdo ditë reagime të dëshpëruara që vërtetojnë pozitën e tij të vështirë, nën akuzë për marrje rryshfeti. Partia Demokratike i konsideron qesharake reagimet e Ilir Metës, dhe thekson se atij i mbetet vetëm një shteg; dorëheqja dhe dorëzimi para drejtësisë”, deklaroi zëdhënësja e PD-së, Oriela Nebijaj.

Në një deklaratë për mediat, pasditen e së mërkurës, zëdhënësja e Selisë Blu, tha se skandali i korrupsionit në lidhje me mbledhjen e borxheve të CEZ-it, është më i madhi në vend.

“Provat dhe dëshmitë për skemën e madhe të korrupsionit dhe mashtrimit ku është direkt i përfshirë Ilir Meta, janë bërë publike. Provat e ryshfetit të tij, janë pjesë e raportit zyrtar që avokatët e qeverisë shqiptare kanë paraqitur në arbitrazhin e Vjenës. Ilir Meta iu imponua kompanisë CEZ, për të kontraktuar mikun e tij Kastriot Ismailaj, edhe kur ishte ministër i Jashtëm duke bërë negociata private pa pasur asnjë tagër zyrtar, por dhe më pas kur ishte ministër Ekonomie. Ai loboi fort që Kastriot Ismailaj të merrte miliona euro nga CEZ, dhe natyrisht Ilir Meta kishte pjesën e tij në këto shuma marramendëse. Akuza është e rëndë, dhe siç e kanë konsideruar avokatët ndërkombëtarë të qeverisë shqiptare, bëhet fjalë për skemën më të madhe të mashtrimit dhe korrupsionit në vend”, mbyllet deklarata e opozitës.

Top Channel