Tajlandë, i dyshuari për atentatin me eksploziv, shtetas kinez

09/09/2015 18:50

Një nga personat e dyshuar lidhur me atentatin me eksploziv të ndodhur muajin e kaluar në Bangkok të Tajlandës është shtetas kinez, kanë deklaruar autoritetet zyrtare.

Ato kanë thënë se, Yusuf Mieraili ka lindur në provincën Xinjiang, ku jeton dhe pakica ujgure kineze. Sidoqoftë, deri më sot askush nuk ka marrë përsipër atentatin me bombë që u mori jetën 20 personave.

Policia tajlandeze thotë se i dyshuari është pjesë e një grupi që konsiderohet përgjegjës për shpërthimin. Gazeta “Bangkok Post” raporton se ai u ka thënë hetuesve se prindërit e tij jetojnë ende në rajonin me shumicë myslimane.

Edhe një zyrtar kinez ka deklaruar për mediat ndërkombëtare se atentati mund të ketë qenë vepër e separatistëve ujgurë.

Zyrtari, në kushte anonimati, ka sqaruar për “Global Times” se personi i përket Lëvizjes Islamike të Turkistanit Lindor, një grup i vogël separatist islamik, që është aktiv në provincën Xinjiang, në perëndim të Kinës.

Ndërkohë, i dyshuari kryesor, personi që i veshur me një bluzë të verdhë vendosi më 17 gusht çantën me eksploziv në një nga sheshet kryesore të Bangkokut, është ende në arrati.

Top Channel