Fondit Kosovar për Garanci Kreditore synon të ndihmojë bizneset

09/09/2015 00:00

Qeveria e Kosovës synon të marrë përsipër një pjesë të rreziqeve të bizneseve ndaj bankave përmes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.

Është ky një institucion i pavarur që pritet të krijohet vitin e ardhshëm, i cili përveç që pritet të adresojë qasjen në financa për bizneset, si një nga problemet kryesore të tyre, po kështu pritet të ndikojë që bankat t’i ulin normat e interesit në kredi.

“Qëllimi është të rritet mundësia e financimit për kategori të caktuara të bizneseve të cilat kanë pasur vështirësi të marrin financim nga bankat, ose të marrin financim shtesë për të zgjeruar kapacitetet e tyre”, shprehet Hikmete Bajrami, ministre e Tregtisë në Kosovë.

Sipas ministres së Tregtisë, e cila mori pjesë në prezantimin e analizës së instituti GAP për këtë fond, përparësi do t’u jepet prodhuesve vendorë, kryesisht  bizneseve të grave dhe fermerëve. Ajo shtoi që fondi fillimisht do të garantojë 50 përqind të borxhit. Nga ana tjetër, në analizën e institutit GAP theksohet se sfidë e zbatimit të fondit është shuma e kredive të reja, të cilat pritet t’i mbulojë. Kjo pasi ndonëse në Kosovë brenda një viti jepen rreth 600 milionë euro kredi, fondi për gjashtë vite pritet të gjenerojë rreth 360 milionë euro kredi të reja.

“Një problem tjetër që kanë hasur vendet e tjera, është se megjithëse fondi siguron një pjesë të riskut, sërish bankat i kanë favorizuar, bizneset që kanë pasur kolateral më të madh, dhe kjo shpie të një rrezik, që bankat mund të favorizojnë vetëm bizneset e mëdha, e në fakt njëri nga qëllimet e fondit është që të zgjerojë bizneset e vogla ekzistuese”, thotë Berat Thaçi, instituti GAP.

Një rekomandim tjetër që del nga analiza është që institucionet të punojnë në forcimin e shtetit ligjor, sidomos në sektorin që merret me mbledhjen e borxheve si dhe ligji për fondin të përcaktojë përqindjen e mbulueshmërisë si dhe tarifave nga përfituesit e tij.

Aktualisht, projektligji për fondin kosovar për garanci kreditore ndodhet në Kuvendin e Kosovës, miratimi i të cilit do të pasojë funksionalizimin e tij me mbikëqyrje nga Banka Qendrore e Kosovës.

Top Channel