Fiks Fare: Të miturit, të pambrojtur nga alkooli, duhani dhe droga

09/09/2015 19:00

Minorenët në Shqipëri janë të pambrojtur nga përdorimi i alkoolit, duhanit apo drogës. Në vendin tonë është shumë e lehtë që një fëmijë të blejë pije alkoolike, duhan apo të luajë lojëra fati. Mjafton që ai të ketë para për të paguar.

Këtë e ka dokumentuar emisioni investigativ “Fiks Fare”, që trajton këtë të mërkurë dhe të enjten problemin e rrezikut me të cilin përballen të miturit.

Nga investigimet e kryera në terren përmes kamerave të fshehta dhe jo vetëm rezulton se, askush nuk e ndalon tregtimin e këtyre produkteve për të rinjtë nën moshën 18 vjeç.

Ja dhe dialogu mes dy fëmijëve dhe shitësit të një dyqani në kryeqytet.

Shitësi: Ça pije doni?

Fëmijët: Ndonjë “red” (uiski), ose ndonjë gjë tjetër. Po vodka ka?

Shitësi: Ja të shohim.

Pas pak…

Shitësi: Këto janë vodka, çuna. Janë më të mirat.

Fëmijët: Sa lekë bëjnë?

Shitësi: 11 mijë lekë (të vjetra) kjo, 11 mijë kjo tjetra. Tani, merr vodkën, blen një “Red” dhe i përzien. Kështu pihen këto. Do ta marrësh? Pse të mos e marrësh?!

Fëmijët: Sa të detyrohemi?

Pasi bëhet pagesa…

Fëmijët: Duam të festojmë sot. Shumë faleminderit.

Top Channel