Tahiri: Ja e vërteta e hashashit në Gusmar

09/09/2015 19:00

Lulzim Basha postoi një ditë më parë në Facebook dy fotografi të parcelave me hashash në fshatin Gusmar, të cilat, sipas tij, mbrohen nga ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri.

“Ja parcelat me drogë nën mbrojtjen e Sajmir Tahirit, të fotografuara dje (7 shtator) në zonën e Gusmarit, fshatit të tij. Ministri i Brendshëm, protektori i bandave më të rrezikshme të narkotrafikut në vend”, shkruan Basha.

Reagimi i ministrit Tahiri ka ardhur po përmes rrjeteve sociale, duke postuar një foto që tregon ndryshimin, sipas tij, mes fotos nga operacioni i Policisë së Shtetit dhe atyre të publikuara nga Lulzim Basha. Tahiri ka akuzuar kreun e opozitës se po manipulon publikun duke montuar fotot e aksionit të uniformave blu.

“Fotogënjeshtra e Lulit! Si mund të gënjejë kështu kryetari i opozitës?! Si mund të tallet kështu me qytetarët?! Kur gënjen për kaq, si mund të bësohet për gjëra më të rëndësishme?!”, nis shkrimin e tij në Facebook, Sajmir Tahiri.

Ministri i Brendshëm thotë se fotoja është bërë më 27 gusht dhe e njëjta është përdorur nga Lulzim Basha, por duke fshirë punonjësit e policisë në aksion duke asgjësuar bimët narkotike.

“Kjo është derexheja që katandisi delenxhiu!”, mbyll reagimin e tij Tahiri.

FOTO GALERI
1/3
Foto e publikuar nga kreu i PD-së, Lulzim Basha

Top Channel