Zeinat, vajza 16-vjeçare tregon tmerrin që ka përjetuar nga lideri i ISIS

09/09/2015 19:45

“Na thoshin: Konvertohu në Islam ose do të vdesësh”. Askush nuk e njihte Zeinat, deri në momentin kur ajo bëri një rrëfim rrëqethës për CNN.

Vajza e komunitetit Yazidi në një intervistë ekskluzive ka treguar për tmerrin që ka përjetuar nga ISIS, pasi xhihadistët e shkëputën nga familja dhe nisën ta trajtonin si skllave të kalifatit të tyre. Por jo qëllimisht, Zeinat u kthye në pengun e radhës. Luftëtarët e rrëmbyen që ajo t’i shërbente në veçanti vetëm kreut të kalifatit, Abu Bakr al-Baghdadi dhe rrethit të tij të ngushtë.

“Ai gjithmonë na thoshte: Harrojini baballarët dhe vëllezërit tuaj. Ne i kemi vrarë ata. E ndërsa motrat dhe nënat tuaja i kemi martuar. Pra harrojini!”, shprehet Zeinat, vajza e komunitetit Yazidi.

Ndonëse Zeinat nuk është emri i saj i vërtetë, por është thjesht një nofkë, vajza ka pohuar moshën e saj, vetëm 16 vjeç. Por edhe pse shumë e re në moshë, jeta e saj nuk ka qenë e lehtë. Zeinat është trajtuar si skllave, shpesh herë edhe është abuzuar me të. Vajza pohon së përpos dhunës fizike, trysnia psikologjike ishte e pashmangshme.

“Lideri Abu Bakr al-Baghdadi, na tregonte në laptopin e tij  videot e ekzekutimeve që xhihadistët bënin pengjeve. Kështu na kërcënonte duke thënë që të ktheheshim në besimin Islam ose në të kundërt, do të përfundonim si viktimat e tjera”, thotë 16-vjeçarja.

Por, Zeinat nuk është e vetmja, mijëra vajza nga komuniteti Yazidi janë rrëmbyer nga xhihadistët e kalifatit islamik, që tani u duhet të jetojnë të përulura. E ndërsa 16 vjeçarja shpëtoi, së bashku me disa vajza të tjera ato shkatërruan një dritare gjysmë të rrënuar ku ishin të ngujuara. Pastaj, me një biçikletë ajo u kthye sërish në gjirin e familjes Zeinat.

Top Channel