Vëllai i Prengës: Nëse ka plagosur, të kalbet në burg

09/09/2015 00:00

Arben Prenga, vëllai i Armando Prengës, ka reaguar për herë të parë pas arrestimit të deputetit të PS në lidhje me konfliktin e armatosur të javës së kaluar në Kurbin.

“Fati ynë është se edhe ata edhe unë jemi të fesë së krishterë dhe andej nga anët tona ne kemi një zakon, nëse Armando Prenga ka qëlluar mbi ata dy të plagosurit, kurrë të mos dalë nga burgu dhe madje të kalbet atje brenda. Shtëpia jonë nuk e pranon”, ka deklaruar Arben Prenga.

Por, ka thënë ai, nëse ata të dy dalin dëshmitarë të rremë, atëherë do të bëjnë mëkatin më të madh në jetën e tyre.

“Nëse ata janë burra, unë u jap kryqin dhe iu jap dorën. Nëse Armando i ka qëlluar ata, atëherë unë nuk dua ta shoh më me sy”, ka vijuar Prenga.

Ai i ka dhënë një përgjigje edhe deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët pas ngjarjes kanë hedhur akuza të rënda ndaj kolegut socialist dhe qeverisë.

“Këta demokratët që flasin sot për vëllain tim, duke filluar nga zoti Edi Paloka, kanë ardhur në qarkun tonë. Unë e kam patur shumë mik dhe ai më ka thënë: ‘Beni, unë mandatin e dua me vete sepse po i çova pesë deputetë, Sali Berisha do të më bëjë ministër Rendi”, ka treguar Prenga.

“Kështu më ka thënë ai që sot i thotë vëllait tim “hajdut”. Edi Paloka ka filluar nga qarku ynë dhe ka përfunduar në fund të Shqipërisë. Kush nuk e njeh Ed Palokën dhe se çfarë dallaveresh ka bërë!”, ka shtuar Arben Prenga.

Top Channel